Lidhje

Presidenti Obama i heq Vietnamit embargon e armëve


Presidenti amerikan, Barack Obama, tha të hënën në një konferencë për gazetarë në Hanoi së bashku me presidentin vietnamez, Tran Dai Quang, se “Shtetet e Bashkuara do të heqin tërësisht ndalesën e shitjes së pajisjeve ushtarake Vietnamit, që ishte në fuqi për gati 50 vjet”.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të adresojnë po ashtu “trashëgiminë e dhimbshme të luftës: duke ndihmuar Vietnamin në procesin e deminimit dhe eliminimit te agjensit “orange” të mbetur në Vietnam që nga lufta ndërmjet dy vendeve.

Agjensi “orange” ishte një përzierje kimike e përdorur nga forcat ushtarake amerikane gjatë luftës së Vietnamit që më vonë u morr vesh se shkaktonte probleme të rënda shëndetësore, përfshirë defekte në lindje e tumore tek popullata vietnameze sikurse edhe tek ushtarakët amerikanë dhe familjet e tyre.

Të hënën në mëngjes Obama u mirëprit zyrtarisht në Vietnam, disa dekada pas luftës së hidhur ndërmjet dy vendeve. Obama u prit në një ceremoni shtetërore nga presidenti Quang në pallatin presidencial në Hanoi.

Presidenti Obama nga fundi i javës do të qëndrojë në Japoni. Ai do të vizitojë edhe qytetin e Hiroshimës ku Shtetet e Bashkuara përdorën për herë të parë në historinë e njerëzimit bombën bërthamore për t’i imponuar Japonisë dorëzimin në fund të Luftës së II-të Botërore.

Zoti Obama do të bëhet presidenti i parë amerikan që viziton vendin ku u hodh bomba. Në një intervistë dhënë televizionit publik japonez, NHK, ai tha se nuk do të kërkojë ndjesë për bombardimin.

XS
SM
MD
LG