Lidhje

Izraelitët e palestinezët mirëpresin Pres. Obama


Zyrtarët në Izrael dhe në territoret palestineze e kanë mirëpritur lajmin për vizitën e planifikuar të presidentit amerikan Barak Obama, duke thënë se kjo sinjalizon qëllimin e tij për ta bërë rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme një përparësi të politikës së jashtme, gjatë mandatit të tij të dytë.

Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë përshëndetën lajmin për udhëtimin e ardhshëm të Presidentit Obama në rajon, duke vënë në dukje se do të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë vendit në mandatin e dytë. Kjo është vizita e parë e zotit Obama në rajon gjatë presidencës së tij. Ai vizitoi Izraelin në vitin 2008, ndërsa zhvillonte fushatë për zgjedhjet amerikane.

Zëdhënësi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Mark Regev, thotë se vizita do të tregojë marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

"Do të jetë gjithashtu një mundësi për të folur për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve tona dhe natyrisht për të diskutuar disa nga sfidat me të cilat përballemi: para së gjithash kërcënimi që vjen nga programi iranian për armë bërthamore."

Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar një datë për vizitën, por mediat izraelite thanë se ajo do të zhvillohet në fund të muajit mars, pas afatit të caktuar për formimin e koalicionit qeverisës së zotit Netanyahu. Zëvendës kryeministri i Izraelit Silvan Shalom i tha një stacioni radiofonik izraelit se vizita do të përqëndrohet tek dy çështje kryesore.

Ai tha se, së pari do të flitet për rifillimin e procesit të paqes izraelito-palestinez si dhe për krijimin e një mbështetje rajonale për të, dhe së dyti, për ndërtimin e një koalicioni rajonal kundër Iranit dhe partnerëve të tij.

Ai ishte duke iu referuar bashkëpunimit ushtarak mes Iranit, Sirisë dhe grupit libanez Hezbollah. Izraeli thotë se ata kundërshtarë zotërojnë mijëra raketa të drejtuara mbi territorin e tij dhe se duhet të mbahen nën kontroll.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abas përshëndeti vizitën e ardhshme të zotit Obama. Një anëtare e Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Hanan Ashrawi, tha se ajo shpreson që vizita të sjellë një qasje të re të SHBA-së dhe t’i japë fund bllokimit të bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme.

"Ne shpresojmë që të jetë sinjal serioziteti në drejtim të objektivave për një ri-angazhim pozitiv dhe konstruktiv, në mënyrë që pushtimi izraelit të përfundojë dhe gjithashtu t'i jepet fund mosndëshkimit të Izraelit dhe masave të njëanshme dhe të përgatitet terreni për një paqe të drejtë."

Zyrtarët palestinezë thonë se do të rinisin bisedimet vetëm nëse Izraeli ndalon ndërtimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor. Izraeli thotë se bisedimet duhet të fillojnë pa parakushte.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG