Lidhje

Obama kritikon votën në Dhomën e Përfaqësuesve


Presidenti Barack Obama ka kritikuar ashpër Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët që votoi për të anuluar ligjin e vitit 2010 për kujdesin shëndetësor. Vota në Dhomën e Përfaqësuesve mund të çojë në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale.

Presidenti foli para punëtorëve të një fabrike automjetesh në Kansas City të Mizurit dje, disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të anuluar ligjin për kujdesin shëndetësor në kuadër të një projekt-ligji të gjerë për financimin e qeverisë federale.

"Nuk e kam problem që nuk janë dakord me mua. Nëse nuk u pëlqen ligji për kujdesin shëndetësor, nëse preferojnë më mirë që njerëzit të mos kenë sigurime shëndetësore, do të debatoja me ta me kënaqësi. Por nuk duhet ta kishin anuluar të gjithë projekt-ligjin thjesht pasi nuk doli siç donin ata”.

Tani projekt-ligji i kalon Senatit të kontrolluar nga demokratët ku pritet që dokumentit t’i hiqen dispozitat për të anuluar financimin e programit për kujdes shëndetësor. Nëse ndodh kjo, Senati ia kthen dokumentin përsëri Dhomës së Përfaqësuesve ku republikanët mund të vendosin ta miratojnë gjithë dokumentin duke miratuar edhe fondet për kujdesin shëndetësor, ose të lejojnë mbylljen e qeverisë në fund të shtatorit.

Pas votës në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetari i Dhomës John Boehner tha se ky hap pasqyron vullnetin e popullit amerikan:

"Mesazhi ynë është i thjeshtë: populli amerikan nuk do mbylljen e qeverisë dhe nuk do programin për kujdesin shëndetësor të Presidentit Obama”.

Anketa e fundit e opinionit publik tregon se 42 për qind e amerikanëve janë pro programit, ndërsa 52 për qind e kundërshtojnë atë.
Zoti Boehner e cilësoi programin si një katastrofë dhe tha se do të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike:

"Në një kohë kur ekonomia mezi po lëviz, pagat nuk po rriten, nuk ka vende të reja pune, çfarë bëjmë ne? Ne duam të shtojmë koston dhe ta bëjmë gjendjen edhe më të rënduar për amerikanët. Ka ardhur koha të themi jo”.

Republikanët në Kongres kanë paralajmëruar se mund të votojnë kundër rritjes së tavanit të borxhit, duke penguar qeverinë të marrë borxh. Presidenti Obama tha se ngritja e tavanit të borxhit nuk nënkupton shtimin e shpenzimeve. Ai tha se ajo thjesht i jep mundësi qeverisë të marrë borxh për të përmbushur detyrimet e saj:

"Këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk jemi një shtet koti, nuk mund të mos paguajmë detyrimet tona. Ne jemi investimi më i sigurtë në botë. Bota i ka sytë tek ne për t’u siguruar se ekonomia globale është e qëndrueshme. Nuk mund të mos paguajmë faturat tona. Thjesht fakti që republikanët e bëjnë këtë kërcënim është mungesë përgjegjësie”.

Vizita e presidentit në Kansas City përmbylli një seri pesë ditëshe fjalimesh ku ai e vuri theksin në masat për forcimin e ekonomisë pas krizës së vitit 2008.
XS
SM
MD
LG