Lidhje

Presidenti Obama vizitoi qytetin Uest të Teksasit


Një shërthim masiv la javën e kaluar 14 të vdekur, 200 të plagosur dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë rreth gjysmën e shtëpive të qytetit

Presidenti Obama vizitoi dje qytetin qendror të Teksasit, Uest, ku një shërthim masiv la javën e kaluar 14 të vdekur dhe 200 të plagosur dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë rreth gjysmën e shtëpive të qytetit. Korrespondenti i Zërit të Ameriës, Greg Flakus, na informon nga Uesti se ndërkohë që njerëzit përballen me dhimbjen, ata po punojnë për të rindërtuar shtëpitë dhe jetën e tyre.

Nën një flamur gjigand amerikan, autokolona e ceremonisë së varrimit kishte kryesisht makina zjarrfikëse. Ky ishte funerali i parë i shumë të tjerëve që do të mbahen në këtë qytet të Teksasit dhe ishte për vullnetarin e zjarrfikësve Keneth Harris. Ai vdiq në përpjekje për të shuar flakët e zjarrit para shpërthimit në uzinën e plehrave kimike në Uest.

Shpërthimi i 18 prillit ishte aq i fuqishëm sa që u regjistrua me fuqinë e një tërmeti me magnitudë 2.1. Ai shembi një kompleks apartamentesh dhe shkatërroi shtëpitë në një rreze prej pesë blloqesh.

Megjithëse shumicia e banorëve shpëtuan pa plagë, pothuajse të gjithë në këtë komunitet të ngushtë njihte një prej atyre që vdiqën, u plagosën ose humbën shtëpinë.

Dorothi Zahirniak shpëtoi por shtëpia iu shemb.

"Kur dëgjova shpërthimin, thashë me vete ‘o zot, çfarë është kjo?’ dhe pastaj pashë të më zinte çatia e shtëpisë”.

Edhe jashtë zonës kryesore të shpërthimit, shumë shtëpi pësuan dëme të rënda. Pronarët kanë kontraktuar kompani për t’i ndihmuar të shpëtojnë mobilje dhe orendi të tjera.

Shumica e banorëve, të cilët janë zhvendosur, po banojnë me të afërmit në zonë, por edhe dega lokale e shoqatës së Veteranëve të Luftrave të Huaja ka ofruar strehim.

Bobi Xhons punon në këtë shoqatë.

"Ne kemi ngritur një strehim dhe mbledhim dhurata si veshje, ushqim, orendi shtëpiake dhe para për të rindërtuar qytetin. Ne po ndihmojmë banorët duke shpërndarë këto ndihma. Ne përgatisin ushqim për tri vaktet e ditës”.

Menyja zakonisht përfshin ushqime të preferuara në Teksas.

Mishi i pjekur ëshët i stilit të Teksasit, i përgatitur në një skarë të madhe ku punojnë vullnetarët e operacionit të ndihmave.

Brajan Maklarti organizoi ekipin dhe solli ushqimet.

"Këtu kanë ardhur njerëz nga i gjithë Teksasi për të ndihmuar banorët. Ata kanë nevojë për ngrohtësi tani dhe kohë për t’u mëkëmbur”.

Shumica e njerëzve këtu janë me prejardhje nga Çekia dhe janë krenarë për trashëgiminë e tyre.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë për shkakun e shpërthimit, banorët po bëjnë plane për rindërtimin e qytetit dhe jetës së tyre.

XS
SM
MD
LG