Lidhje

Presidenti Obama mbi planet e tij për ekonominë


Presidenti Barak Obama ishte të mërkurën në shtetin amerikan të Kolorados, ku ai mbajti një fjalim të tipit të fushatës lidhur me përpjekjet e tij për të përmirësuar ekonominë dhe kritikoi kundërshtarët e tij në Kongres, që po bëhen pengesë:

Duke folur në një park në qendër të qytetit të Denverit, zoti Obama foli mbi përpjekjet e tij për miratimin e e ligjeve të nevojshme për infrastrukturën e vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe riparimin e rrugëve dhe urave. Ai foli për përpjekjet e tij për rritjen e pagës minimale dhe miratimin e ligjit që do të garantonte pagë të barabartë për gratë, për të njëjtën punë me burrat.

Presidenti tha se republikanët në Kongres e kanë kundërshtuar atë në të gjitha këto përpjekje dhe ai argumentoi se mbështetja për këto masa është një lloj patriotizimi në fushën e ekonomisë:

"Na nevojitet një lloj patriotizmi ekonomik, që do të thotë se të gjithë duhet të marrin sigurim shëndetësor. Kjo nuk është diçka e keqe, përkundrazi. Po ashtu është mirë kur gratë pagohen njëlloj si burrat për të njëjtën punë. Kjo nuk është diçja jo-amerikane. Është mirë kur prindërit kanë pak fleksiblitet kur i kanë fëmijët të sëmurë. Kjo do t'i bënte më besnikë të gjithë punonjësit. Ata do të ishin më produktivë. Është mirë, që askush që punon me orë të plota të mos jetojë në varfëri. Kjo gjithashtu nuk është diçka jo-amerikane. Nuk është radikale. Është diçka e mirë, është pikërisht fryma me të cilën u ndërtua ky vend."- tha Presidenti.

Presidenti po ashtu nuk i kushtoi rëndësi njoftimeve mbi një plan të kongresmenëve republikanë për të ngritur aktpadi ndaj tij për shmangien e Kongresit dhe përdorimin e urdhërit ekzekutiv për të vënë në zbatim shumë nga planet e tij ekonomike. Ai tha se ky është një marifet politik dhe i bëri thirrje Kongresit të bashkëpunojë me të për përmirësimin e ekonomisë.

XS
SM
MD
LG