Lidhje

Obama, i shqetësuar për bllokimin politik në vend


Presidenti mbajti gjatë kësaj jave disa fjalime që synonin përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike amerikane

Presidenti Barak Obama përdori fjalimin e tij të përjavshëm duke bërë thirrje për kushte më të mira ekonomike në favor të klasës së mesme.

Zoti Obama kërkoi krijimin e kushteve që çdo amerikan që punon shumë të ketë shanse për të përparuar në ekonominë e shekullit të 21-të.

Ai tha se në 40 muajt e fundit janë krijuar më shumë se 7 milion vende të reja pune. Sipas presidentit, deficitet janë pakësuar dhe rritja e kostos së kujdesit shëndetësor është ngadalësuar. Zoti Obama vuri gjithashtu në dukje ato që ai i quajti përmirësime në industrinë e automobilëve dhe në tregun e shtëpive.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Eric Cantor iu përgjigj mesazhit të presidentit duke thënë se republikanët janë për zgjidhjen e problemeve të vendit duke marrë masa kundër shpërdorimeve dhe ndërhyrjes së qeverisë në jetën e qytetarëve.

Presidenti Barak Obama mbajti gjithashtu gjatë kësaj jave disa fjalime që synonin përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Pavarësisht nga forcimi gradual i tregut të shtëpive dhe një farë shtimi të vendeve të punës, presidenti tha se bllokimi politik dhe pabarazia në rritje e të ardhurave kërcënojnë mënyrën amerikane të jetesës.

Kur Presidenti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, ekonomia po humbiste mesatarisht 700 mijë vende pune në muaj. Tregu i shtëpive kishte falimentuar, bursa ishte në rënie të lirë dhe, nga fundi i vitit, papunësia arriti në 10 për qind.

Por tani, në vitin 2013, çmimet e shtëpive janë në rritje, aksionet kanë arritur nivele rekord dhe kompanitë punësojnë mesatarisht 200 mijë njerëz në muaj.

"Gjatë 40 muajve të fundit, bizneset kanë krijuar 7.2 milion vende pune. Këtë vit, ne do të shënojmë rritjen më të madhe të vendeve të punës në sektorin privat që nga viti 1999."

Por megjithë ritmi i qendrueshëm i punësimeve, rreth dymbëdhjetë milionë amerikanë janë ende pa punë. Edhe ata që kanë punë mesatarisht punojnë më pak orë duke fituar më pak.

"Pabarazia e rritjes nuk është vetëm moralisht por edhe ekonomikisht e gabuar, sepse kur familjet e klasës së mesme shpenzojnë më pak edhe bizneset kanë më pak konsumatorë."

Analistët thonë se përqëndrimi i presidentit tek ekonomia mund të jetë një presion që ai përpiqet t'i bëjë Kongresit. Ai synon që ligjvënësit të reformojnë kodin e taksave, të rritin shpenzimet e infrastrukturës, të rritin pagën minimale, dhe të fillojnë zbatimin e reformës së tij të kujdesit shëndetësor.

Duke pasur parasysh klimën politike në Uashington, marrëveshja me Kongresin mund të mos arrihet.

Por një çështje që mund t'i bashkojë palët është nevoja për të zgjeruar bazën tatimore. Kjo është arsyeja pse reforma e imigracionit është vendimtare, thotë Steve Bell, ekspert në Qendrën e Politikave Dypartiake.

"Nëse nuk kemi një imigracion inteligjent, nuk do të kemi punëtorë të mjaftueshëm që të paguajnë taksa për programet që kërkojmë të zbatojmë."

Disa faktorë të tjerë mund të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike të vendit, si ngadalësimi i ekonomisë kineze dhe zgjatja e recesionit në disa vende evropiane. Këtu në SHBA, një anketë e re tregon se rritja e normave të interesit dhe beteja e ardhshme në Kongres lidhur me tavanin e borxhit mund të ngadalësojë ritmet e punësimit, pikërisht tani që ekonomia amerikane është përpara një vrulli të ri.
XS
SM
MD
LG