Lidhje

Ligji i ri mund të rrisë koston e kujdesit shëndetësor


Që kur filloi regjistrimi për programin e ri të kujdesit shëndetësor të administratës Obama javën e kaluar, mijëra amerikanë pa sigurime kanë aplikuar për t’u përfshirë në program, megjithëse kundërshtarët e ligjit në Kongres kanë shkaktuar mbylljen e pjesshme të qeverisë, në një përpjekje për ta shfuqizuar ligjin. Suksesi fillestar i ligjit për zgjerimin e mbulimit shëndetësor, mund të jetë i përkohshëm, pasi shumica e amerikanëve mund të zhgënjehen nga rritja e konsiderueshme e kostos së kujdesit shëndetësor.

Ligji për Kujdesin Shëndetësor i jep tani mundësi zotit James Matthews që të ketë sigurim shëndetësor përmes programit federal Medicaid për familjet me pak të ardhura, megjithëse ai është diagnostikuar me diabet.

“Jam i kënaqur që tani nuk mund të përdoret si argument një sëmundje ekzistuese për të më diskriminuar mua dhe për të më kufizuar kujdesin shëndetësor për shkak të diabetit”, thotë zoti Matthews.

Ny Whitaker, një nënë e pamartuar, e vetëpunësuar do të përfitojë tani nga subvencionet qeveritare dhe mund të përballojë sigurim shëndetësor privat që ofrohet në bazë të ligjit të ri.

“Mendoj se ka ardhur koha që të kujdesemi për qytetarët tanë dhe të garantojmë sigurime shëndetësore për të gjithë dhe që gjithkush të ketë të njëjtat shanse”, thotë ajo.

Por nëse reforma shëndetësore ka sukses vetëm në drejtim të mbulimit me sigurime për ata që kanë nevojë, programi mund të dështojë.


Ja ç'thotë Christopher Condeluci ish-këshilltar i Komisionit Financiar të Senatit që ndihmoi në hartimin e Ligjit.

“Sa më shumë njerëz të kenë sigurime shëndetësore dhe të përdorin shërbime të tilla në shkallë shumë më të madhe nga ç’ishte parashikuar, aq më shumë do të shtohet trysnia mbi shpenzimet shëndetësore dhe kjo do ta rrisë koston, duke shkaktuar pasoja tek të gjithë”.

Për këtë arsye, ligji për kujdesin shëndetësor kërkon që edhe individë të rinj të shëndetshëm të regjistrohen në program në mënyrë që kostoja të jetë më e përballueshme, ose përndryshe të paguajnë një gjobë. Por, thotë zoti Candeluci, meqenëse tani është e paligjshme që kompanitë e sigurimeve të mos pranojnë klientë, shumë njerëz të shëndetshëm mund të paguajnë thjesht gjobën prej 95 dollarësh, ose 1 për qind të rrogës dhe të aplikojnë për sigurime vetëm nëse sëmuren.

“Ka një farë rreziku moral. Dikush mund të refuzojë të marrë sigurime shëndetësore, por mund të marrë kur sëmuret. Kjo sjell si rezultat rritjen e kostos për të gjithë”.

Ligji i ri është mbështetur tek sistemi i suksesshëm i shtetit Masaçusets në kohën kur ishte guvernator republikani Mitt Romney. Por sistemi që ai ngriti, vendoste gjoba më të larta nëse nuk regjistroheshe. Zoti Candeluci thotë se duhen ndërmarrë reforma për ta bërë këtë ligj të zbatueshëm për të ardhmen afatgjatë. Por në kohë të tilla përçarjesh politike, këto reforma nuk ka gjasa të ndërmerren.




XS
SM
MD
LG