Lidhje

Pres. Obama promovon programin e kujdesit shëndetësor


Presidenti amerikan Barak Obama ka mbrojtur sërish reformën e tij të sistemit të kujdesit shëndetësor ndaj përpjekjeve për ta shembur atë. Por përplasja politike nuk ka përfunduar. Disa republikanë në Kongres zotohen t’i vazhdojnë përpjekjet kundër ligjit. Përveç kësaj, administrata e Presidentit Obama duhet të punojë dhe për të rregulluar probleme të ndryshme teknike të programit para se planet e reja të sigurimeve shëndetësore të hyjnë në fuqi me 1 janar.

Presidenti Obama i kujtoi dje amerikanëve se shumë njerëz po përfitojnë tashmë nga ligji i ri i kujdesit shëndetësor, pa e ditur këtë:

"Tashmë, për shkak të Aktit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm, kontrolle si mamografitë apo masat kontraceptive janë falas nëpërmjet punëdhënësit tuaj. Kjo është pjesë e këtij ligji. Pra, ka një gamë të gjerë mbrojtjesh të konsumatorit dhe përfitime që tashmë zotëroni nëse keni siguracion shëndetësor. Mund të mos i keni vënë re, por këto përfitime i keni dhe ato nuk do të lëvizin."

Shumë amerikanë kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me probleme kompjuterike që i kanë penguar në përpjekjet e tyre pët t’u regjistruar në internet për planet e sigurimit. Presidenti tha se ai ishte po aq i zhgënjyer me problemet sa gjithë të tjerët.
Ai shpjegoi përparësitë e tregut të ri të siguracioneve shëndetësore të programit duke i krahasuar me plane të tjera më të shtrenjta jashtë këtij rrjeti.

"Duke u regjistruar në ato që ne po i quajmë tregje të programit, ju bëheni pjesë e një plani të madh grupi – sikur të ishit duke punuar për një kompani të madhe – pra, një plan grupi mbarështetëror që shpërndan rrezikun mes njerëzve të sëmurë dhe të shëndetshëm, mes të rinjve dhe të moshuarve; dhe që më pas hyn në tratativa në emrin tuaj për një ofertë sa më të mirë për siguracionin tuaj shëndetësor. Ajo që kemi bërë është krijimi i konkurrencës aty ku më parë nuk kishte konkurrencë. Ne kemi krijuar këto plane të mëdha në grup dhe tani kompanitë e sigurimeve shëndetësore janë vërtetë të interesuara që ju të jeni klientë të tyre dhe ato kanë krijuar plane të reja të kujdesit shëndetësor me më shumë mundësi zgjedhjeje në dispozicionin tuaj përmes këtyre tregjeve."

Janice Baker, personi i parë në shtetin Delaware që u regjistrua në një plan të ri, iu bashkua Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë:

"Isha në gjendje të gjeja një plan sigurimi me të cilin jam e kënaqur, duke kursyer 150 në muaj, dhe me pagesa të detyrueshme më të ulëta sesa plani që kisha më parë për biznesin tim të vogël."

Amerikanët e pasiguruar kanë kohë deri më 1 mars të regjistrohen në një siguracion që ata preferojnë ose përballen me një gjobë. Adriana Guida nga shteti Masaçusets është e shqetësuar se procesi i regjistrimit është shumë i gjatë dhe i ndërlikuar:

"Është e vështirë kur qeveria thotë se duhet të bësh diçka ose do të të gjobis dhe më pas ti nuk mundesh të bësh gjërat që duhen. Nuk jam dakord me këtë."

Ajo thotë se kaloi më shumë se një orë në telefon për të përfunduar procesin e aplikimit dhe se tani po pret të shohë se çfarë planesh sigurimi me kosto të ulët do të jenë në dispozicion për të.
Problemet e regjistrimit në internet për programin u kanë dhënë më shumë argumenta republikanëve, të cilët kishin tentuar të detyronin administratën të vononte apo të hiqte përfundimisht ligjin e reformës. Senatori nga Teksasi Ted Cruz ka premtuar të vazhdojë betejën:

"Ajo që unë mund t'ju them është se për mendimin tim lufta duhet të qëndrohet tek ndalimi i katastrofës që ky ligj përfaqëson sepse njerëzit po dëmtohen."

Por presidenti Obama thotë se përpjekje të tilla do të dështojnë sërish në të ardhmen, sepse familjet e klasës së mesme kanë nevojë dhe e mbështesin ligjin e ri për kujdesin shëndetësor.
XS
SM
MD
LG