Lidhje

Obama fillon vizitën historike në Kubë


Presidenti Barack Obama arriti në Kubë të dielën për një vizitë historike, ndërkohë që dy vendet ecin drejt normalizimit të marrëdhënieve, 55 vjet pas ndërprerjes së tyre. Zoti Obama, presidenti i parë në detyrë që viziton Kubën në pothuajse 90 vjet, do ta mbyllë vizitën me një fjalim drejtuar popullit kuban, ku do të flasë mbi vizionin e tij për të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-kubane.

Presidenti Obama zbriti nga avioni Air Force One nën një qiell me re dhe në një shi të imët në aeroportin e Havanës rreth orës 4:30 pasdite.

Pak përpara zbritjes, zoti Obama përshëndeti me Tweeter popullin e Kubës.

Në pistën e aeroportit, Presidenti, bashkëshortja e tij dhe dy vajzat, u përshëndetën nga një delegacion kuban, i cili i dhuroi Zonjës së Parë Michelle Obama një buqetë lulesh.

Udhëheqësi amerikan përshëndeti me dorë një turmë dashamirësish, ndërsa hipi në një limuzinë, për të shkuar së pari në një takim me personelin e ambasadës amerikane dhe familjet e tyre në Hotelin Melia Habana të Havanës.

Njerëzit mblidhen në rrugët e Havanës së vjetër.

Njerëzit mblidhen në rrugët e Havanës së vjetër.

Shtëpia e Bardhë tha se vizita triditëshe e Presidentit Obama dhe fjalimi i tij të martën në Havanë, përfaqësojnë një fillim të ri në marrëdhëniet mes dy armiqve të Luftës së Ftohtë. Ky është një tjetër zhvillim pas rivendosjes së marrëdhënieve tetë muaj më parë.

“Diplomacia, duke përfshirë guximin për të hapur një kapitull të ri pas dështimit të politikave të së kaluarës, ja kështu e filluam kapitullin e ri të angazhimit me popullin e Kubës," tha Presidenti gjatë një fjalimi në Departamentin amerikan të Shtetit pak ditë para nisjes.

Video nga korrespondenti i VOA, Alberto Pimienta.

Presidenti Obama e ka shndërruar rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën, në një ndër arritjet unike të politikës së jashtme të administratës së tij, duke mbështetur argumentin se politika e vjetër amerikane për një izolim prej disa dekadash, pati dështuar.

Presidenti dhe familja e tij do të vizitojnë sot disa zona me vlera kulturore të Havanës së Vjetër. Nesër, ai do të takohet me Presidentin kuban Raul Castro, si dhe me biznesmenë kubanë për të diskutuar për shkëmbimet SHBA – Kubë. Një darkë shtetërore është planifikuar të mbahet në Pallatin e Revolucionit.

Fjalimi që ai do t’i drejtojë të martën popullit të Kubës konsiderohet si kulmimi i vizitës së tij, si dhe një mundësi e veçantë për të reflektuar mbi historinë e komplikuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, si dhe për të parashtruar vizionin e tij për të ardhmen e marrëdhënies drejt një jete më të mirë për popullin kuban. Megjithë kundërshtimet e qeverisë kubane, Presidenti Obama planifikon të takohet edhe me aktivistë të të drejtave të njeriut dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG