Lidhje

OKB e alarmuar nga numri i ekzekutimeve në Iran

  • Lisa Bryant

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehet e alarmuar nga njoftimet për shtimin e ekzekutimeve në Iran që nga fillimi i vitit. Kjo zyrë thotë se të paktën 80 vetë janë ekzekutuar, por ka raporte të tjera që përmendin 95 ekzekutime.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë se pjesa më e madhe e ekzekutimeve janë për shkelje të ligjeve kundër drogës. Zëdhënësja Ravina Shamdasani thotë se këto krime nuk janë të ndëshkueshme me vdekje dhe si të tilla nuk përmbushin standardet e së drejtës ndërkombëtare si “krimet më serioze” për të cilat zbatohet ndëshkimi me vdekje.

"Ia kemi bërë të qarta vazhdimisht shqetësimet tona qeverisë, në mënyrë private dhe publike dhe ka pasur disa shenja shpresë-dhënëse vitin e kaluar kur u liruan disa të burgosur politikë. Shpresonim se diçka pozitive do të rezultonte, por me sa duket gjatë shtatë javëve të fundit ekzekutimet janë shtuar”.

Zonja Shamdasani thotë se një numër njerëzish janë ekzekutuar në rrethana sekrete dhe të paktën shtatë të tjerë janë ekzekutuar në publik këtë vit. Ajo shtoi se zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është sidomos e shqetësuar nga njoftimet për ekzekutimin sekret muajin e kaluar të dy pjesëtarëve të pakicës arabe ahwaze.

Sipas zyrtares së OKB-së, dy të ekzekutuarit, Hadi Rashedi dhe Hashem Sha'bani, nuk u gjykuan në një proces të drejtë sipas standardeve të ligjit ndërkombëtar. Po ashtu njoftohet se ata nuk patën mundësi të konsultohen me një avokat apo të takohen me familjet gjatë nëntë muajve të parë që u mbajtën nën arrest. Zonja Shamdasani thotë se ka njoftime se të ndaluarit u torturuan për t’i detyruar të rrëfenin fajësinë.

Zyrtarja thotë për Zërin e Amerikës se dy të pandehurit ishin dënuar me vdekje nën akuzat për “armiqësi kundër Zotit” korrupsion dhe akte kundër sigurisë kombëtare.

"Problemi me akuzën “armiqësi kundër Zotit” qëndron në faktin se përkufizimi është shtrembëruar dhe është aq i gjerë sa që mund të përdoret për një numër shkeljesh. Fyerjet ndaj fesë do të përfshiheshin në këtë akuzë, por edhe një numër aktesh të tjera që konsiderohen si krime. Këtu qëndron problemi. Fakti që janë ekzekutuar ngre shqetësimin për mënyrën si zbatohet dënimi me vdekje në rastet e krimeve që lidhen me drogën, si dhe në krime që nuk përmbushin standardet për dënimin kapital. Fakti që i përkisnin këtij grupi pakicë dhe që më parë punonin për organizata kulturore është arsye tjetër për shqetësim”.

Zyra e OKB-së njofton se të paktën 500 vetë u ekzekutuan në 2013, përfshirë 57 ekzekutime në publik. Por ka burime që besojnë se kjo shifër është rreth 625 vetë. Sipas këtyre burimeve, mes të ekzekutuarve ka pasur të burgosur politikë, pjesëtarë të grupeve etnike dhe 28 gra.

Zyra e OKB-së po i bën thirrje Teheranit të ndalë menjëherë ekzekutimet dhe të vendosë moratorium mbi dënimet me vdekje.
XS
SM
MD
LG