Lidhje

Vëzhguesit debatojnë për suksesin e zgjedhjeve parlamentare në Afganistan


Vëzhguesit debatojnë për suksesin e zgjedhjeve parlamentare në Afganistan
Vëzhguesit debatojnë për suksesin e zgjedhjeve parlamentare në Afganistan

Vëzhguesit e zgjedhjeve parlamentare të së shtunës në Afganistan po debatojnë nëse rezultatet do të jenë legjitime. Komisioni Afgan i Ankesave për Zgjedhjet thotë se ka marrë njoftime për parregullsi, por ndërkohë që vazhdojnë të arrijnë fletëvotime nga krahinat e largëta të vendit, zyrtarët thonë se rezultatet përfundimtare nuk do të jenë gati edhe për disa javë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Shon Maruni, njofton rreth gjendjes nga Kabuli.

Grupi kryesor i vëzhguesve të zgjedhjeve në Afganistan thotë se legjitimiteti i zgjedhjeve parlamentare është i diskutueshëm.

Fondacioni i Zgjedhjeve të Lira e të Drejta thotë se ka “shqetësime të rënda për cilësinë” e zgjedhjeve, duke marrë parasysh pasigurinë dhe ankesat e shumta për parregullsi.

Ahmed Nader Naderi është kreu i organizatës. Ai thotë se ka patur shqetësime serioze për cilësinë e zgjedhjeve. Ai shton se grupi i tij po këmbëngul që të mbrohet integriteti i votës së popullit sepse afganët kanë sakrifikuar shumë për të marrë pjesë në zgjedhje.

Alesandro Parciale është kreu i përfaqësisë së organizatës ndërkombëtare “Democracy International”, e cila gjithashtu vëzhgoi zgjedhjet ditën e shtunë. Ai thotë se po mbledhin akoma të dhëna nga ekipet e vëzhguesve të organizatës në mbarë vendin.

Zoti Parciale thotë se është e vështirë të gjykohet suksesi i zgjedhjeve vetëm një ditë pas mbajtjes së tyre.

“Për momentin, është vështirë të thuhet se ka pasur ndonjë parregullsi. Do të ishte e papërgjegjshme të thosha një gjë të tillë.”

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve priten muajin e ardhshëm, ndërsa rezultatet përfundimtare ka të ngjarë të shpallen në fund të tetorit pasi të jenë shqyrtuar të gjitha ankesat për manipulime dhe parregullsi.

Komisioni Afgan i Ankesave për Zgjedhjet thotë se ka pranuar raporte për parregullsi, përfshirë hapjen e vonuar të vendvotimeve, mungesën e fletëvotimeve dhe regjistrimin jo të rregullt të votuesve.

Forca ndërkombëtare e sigurisë nën udhëheqjen e NATO-s thotë gjithashtu se ka shënuar më shumë se 300 incidente dhune lidhur me zgjedhjet.

Ministri i brendshëm afgan njofton se së paku 22 njerëz vdiqën për shkak të dhunës lidhur me zgjedhjet në mbarë vendin.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor tha dje se janë gjetur trupat e tre punonjësve zgjedhorë që u rrëmbyen të shtunën në Afganistanin verior.

Megjithatë, kryetari i komisionit Fazal Ahmed Mainaui thotë se zgjedhjet ishin të suksesshme.

Ai pranon se ka pasur mangësi. Ai thotë se kjo pritej për shkak të gjendjes në Afganistan dhe premton se organizata e tij do të hetojë të gjitha ankesat.

Zyrtarët zgjedhorë në Afganistan vlerësojnë se 3,6 milion njerëz votuan të shtunën, shumë më pak nga gati 6 milion sa votuan në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar.

Më shumë se dymijë e 500 kandidatë konkurruan për 249 vende në dhomën e ulët të parlamentit afgan. Gati 300 mijë ushtarë dhe policë afganë, të mbështetur nga 150 mijë trupa ndërkombëtare, ishin mobilizuar për ruajtjen e rendit gjatë mbajtjes së zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG