Lidhje

ODIHR, Glover: I tërë procesi në monitorim


Drejtuesja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Audry Glover deklaroi sot se misioni do të përqëndrohet në respektimin e standarteve ndërkombëtare. “Ne nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve”, tha Glover

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve Audry Glover gjendet në Tiranë në krye të një grupi prej 13 ekspertësh, ndërsa të hënën e ardhshme pritet dhe mbërritja e vëzhguesve afatgjatë të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin. Për ditën e zgjedhjeve është propozuar një numër prej 250 vëzhguesish, por me gjasë ky numër rrezikon të jetë më i vogël. Edhe për vëzhguesit afatgjatë ishte propozuar që të ishin 30 të tillë, por në fakt do të mbërrijnë vetëm 18.

Zonja Glover shpjegoi se vëzhguesit do të ndjekin nga afër procesin dhe respektimin e parimeve të OSBE-së dhe standarteve ndërkombëtare: “Do lejojmë vetëm faktet që të flasin me zërin e tyre. Misioni ynë do të ndjekë të gjithë procesin zgjedhor”.

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve saktësoi se ata do të ndjekin provesin në tërësinë e tij. “Zgjedhjet nuk janë dicka që ndodh vetëm ditën e votimit, por edhe ajo që ndodh përpara dhe pas” tha zonja Glover duke nënvizuar se “në përputhje me gjetjet e misionit të vlerësimit, ekspertët do përqëndrohen në vecanti në zbatimin e legjislacionit të ri, përfaqësimin e kandidateve femra, procedurat gjatë ditës së zgjedhjeve, në vecanti ato që kanë të bëjnë me numërimin dhe nxjerrjen e rezultateve, fushatën zgjedhore, ndonjë presion të mundshëm ndaj zgjedhësve apo blerjen e votave, mbulimin dhe pasqyrimin e zgjedhjeve nga mediat, dhe si do zgjidhen mosmarrëveshjet nga administrate zgjedhore dhe Gjykata”

Zonja Glover theksoi si tepër të rëndësishëm besimin që qytetarët duhet të kenë në integritetin e procesit “dhe që kjo të ndodhë, zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të bëjnë një zgjedhje reale dhe të mirëinformuar përsa i përket kandidatëve të ndryshëm dhe që këta kandidatë të kenë mundësi të bëjnë fushatë, në një fushë që të jetë e niveluar njësoj për të gjithë. Pra zgjedhësit duhet të kenë njësoj mundësinë dhe të drejtën e votës, dhe që ta hedhin atë në mënyrë të fshehtë dhe të lirë, duke e ditur që vota e tyre jo vetëm që do të numërohet por do të jetë pjesë e rezultatit zgjedhor”.

Drejtuesja e misionit të ODIHR-it, i mëshoi faktit se vëzhguesit do të ndjekin vetëm procesin nga ana teknike dhe se nuk kanë detyrë të ndërhyjnë: “Ne nuk jemi politikanë, por profesionistë zgjedhjesh. Nuk jemi të interesuar te rezultati i zgjedhjeve, por te procesi dhe që procesi të jetë transparent dhe në përputhje me të gjitha angazhimet e OSBE, në të cilat përfshihen, fshehtësia e votës, paanshmëria, barazia. Që zgjedhjet pra të jenë të drejta dhe të lira. Interesi ynë është që rezultatet të mund të njoftohen publikisht në mënyrë korrekte dhe transparente

Për britaniken Glover ky është misioni I dytë në Shqipëri krye të vëzhguesve ndërkombëtarë. Në zgjedhjet politike të 2009, emërimi i saj u kundërshtua me forcë nga e djathta e atëhershme në pushtet, për shkak të qëndrimit të ODIHR-it ndaj zgjedhjeve problematike të 1996. Në atë kohë, zonja Glover ishte drejtoreshë e zyrës së ODIHR-it. Megjithatë ashtu si dhe në 2009, edhe sot ajo nënvizoi se “Ne kemi ardhur këtu në Shqipëri pa idera të krijuara më parë apo me ndonjë axhendë të paracaktuar, kemi ardhur të vëzhgojmë zgjedhjet në përputhje me metodologjinë e zgjedhjeve që është e përcaktuar nga ODIHR-i.

Vëzhguesit do të publikojnë një raport të ndërmjetëm para zgjedhjeve, ndërsa të nesërmen e votimit një raport me gjetjet paraprake. Dokumenti përfundimtar së bashku me rekomandimet pritet të publikohet 8 javë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG