Lidhje

Rekomandimet për zgjedhjet, mision i ODIHR

  • Armand Mero

Në Tiranë ish drejtuesja e vëzhguesve ndërkombëtar më 23 qershor. McCormack: Të identifikojmë ndërhyrjet e nevojshme për një proces më të mirë zgjedhor

Në Shqipëri ish drejtuesja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtar në zgjedhjet e 23 qershorit Conny McCormack dhe këshilltari i Osbe-së për zgjedhjet Steven Martin nisën sot në Tiranë një seri takimesh për të diskutuar rreth rekomandimeve të përfshira në raportin përfundimtar për zgjedhjet e kaluara. Sipas zonjës McCormack qëllimi është identifikimi i prioriteteve që do të mundësonin përmirësimin e procesit zgjedhor.

Dy krahët e politikës shqiptare do të duhet të ulen sërish së bashku për të ndërhyrë në kodin zgjedhor në zbatim të rekomandimeve që bëri misioni i vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it. Ish drejtuesja e këtij misionin Conny McCormak, e shoqëruar dhe nga këshilltari për zgjedhjet i OSBE-së Steven Martin, nisi sot një seri takimesh me autoritetet dhe drejtuesit kryesor politik për të diskutuar pikërisht mbi këto rekomandime dhe vënien e tyre në zbatim. “Po shikojmë rrugët për të punuar së bashku për të identifikuar prioritetet e nevojshme në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë edhe më i mirë në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh zonja McCormack.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh i gatshëm “për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe institucionale në mënyrë që t’u paraprijmë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ishte kënaqësi që mora angazhimin e përfaqësuesve të ODIHR-it për gadishmërinë e tyre për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces”.

Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, pas takimit me zonjën McCormack, ndërsa vuri në dukje se qeveria e demokratëve bëri të mundur që zgjedhjet e 23 qershorit të vlerësoheshin pozitivisht, vuri theksin te procesi i fundit zgjedhor në Korcë dy javë më parë. Pas publikimit të një videoje ku shiheshin studentë që tërhiqnin 2 mijë lekë në një zyrë elektorale të partisë socialiste, pasi kishin votuar, demokratët kanë akuzuar qeverinë për shitblerje të votave

“Informova zonjën McCormack për të gjitha këto zhvillime. E informova për vendosmërinë tonë si Parti Demoktratike për të vazhduar të japim kontributin tonë në konsolidimin e një sistemi elektoral i cili bën të mundur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jo deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Shprehëm shqetësimin tonë të thellë për mosplotësimin, tashmë edhe në kushtet kur kemi të bëjmë me një maxhorancë të detyrimeve ligjore për të plotësuar vendet në KQZ”, deklaroi zoti Basha.

Zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri u konsideruan si konkurruese dhe në respekt të lirive themelore, në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Raporti ngriti shqetësime për atmosferën politike që shoqëroi procesin, veprimtarinë e Komisionit Qendror të zgjedhjeve apo dhe të Kolegjit zgjedhor si dhe trysninë ndaj administratës. Vëzhguesit ndërkombëtar kanë renditur 29 rekomandime për autoritetet shqiptare.
XS
SM
MD
LG