Lidhje

Vëzhguesit ndërkombëtarë kritika KQZ-së


Publikohet raporti i parë i misionit të OSBE/ODIHR-it: “Funksionimi me 4 anëtarë pengon aftësinë e KQZ për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin”

Në Shqipëri misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it tha sot se funksionimi i Komisionit qëndorr të Zgjedhjeve me katër anëtarë pengon aftësinë e tij për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin. Misioni i vëzhguesve publikoi raportin e ndërmjetëm para zgjedhjeve të 23 qershorit, sipas të cilit KQZ ka marrë disa vendime për të cilat kërkohej një shumicë prej 5 votash. Në raport përmenden raste të përdorimit të ngjarjeve qeveritare për qëllime elektorale apo të pushimeve nga puna të punonjësve të administratës publike për qëllime politike.

Raporti i publikuar sot është dokumenti i parë i lëshuar nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtar të cilët mbërritën në Shqipëri tre javë më parë. Ai merr në analizë të gjithë aspektet e procesit zgjedhor. Një vend të rëndësishëm në të, ka zënë analiza e punës së Komisionit qëndror të zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për organizimin e procesit, i cili u vë në qendër të vëmendjes muajin e kaluar për shkak të përplasjeve për përbërjen e tij. Zëvendësimi nga ana e parlamentit i anëtarit të propozuar nga Lëvizja socialiste për integrim, coi në dorëheqjen e tre anëtarëve të propozuar nga opozita, duke bërë që Komisioni të kryejë aktivitetin vetëm me 4 anëtarët “gjë e cila – thekson raporti - pengon aftësinë e saj për të administruar zgjedhjet në përputhje me ligjin”.

Vëzhguesit vërejnë se “janë disa vendime specifike për të cilat Kodi kërkon shprehimisht që të merren me një shumicë të kualifikuar prej 5 votash, përfshirë certifikimin e rezultatit dhe ndarjen e vendeve në parlament”, dhe se ndërkohë “KQZ ka miratuar me katër vota akte normative të cilat kërkojnë një shumicë me 5 votash. Nga ana tjetër – shtojnë vëzhguesit - KQZ ka shmangur marrjen e vendimeve të nevojshme për të amenduar aktet e vjetëruara” dhe se “aktualisht po vepron pa miratuar rregulloren e saj të funksionimit siç e parashikon ligji”

Sipas vëzhguesve “ndërsa përgatitjet zgjedhore vazhdojnë, janë vënë re vonesa, dhe mosrespektim i disa afateve ligjore. KQZ zhvillon mbledhje të shpeshta publike. Megjithatë disa herë, vendimmarrja e saj ka mungesë transparence. Disa nga vendimet e KQZ janë kritikuar për mungesë të një baze të qëndrueshme ligjore”, vlerësojnë vëzhguesit. Raporti sjell në vëmendje se “KQZ vendosi që të ndryshojë manualisht renditjen e partive në fletën e votimit pas hedhjes së shortit ndonëse ligji kërkon që ajo të bëhet në mënyrë rastësore”. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë “Mbledhjet e KQZ thirren shpesh pa një paralajmërim të duhur. Vendimet nuk publikohen menjëherë në faqe sic parashikon ligji. Kjo zvogëlon transparencën në vendimmarrjen e KQZ”, nënvizon raporti.

Vëzhguesit vlerësojnë se fushata elektorale po zhvillohet e qetë, megjithatë, sic shkruhet në raport “vëzhguesit kanë vërejtur përdorimin e ngjarjeve zyrtare qeveritare me qëllim elektoral. Inaugurime të rrugëve të reja apo projekteve infrastrukturore janë shoqëruar me sloganet elektorale dhe flamujt e partisë demokratike”. Po ashtu në raport pasqyrohen edhe shqetësime të ngritura nga opozita se “punonjës të administratës publike ftohen të marrin pjesë në mitingje ose të garantojnë mbështetje për partinë në qeveri. Ato kanë pohuar gjithashtu se mbështetësit e tyre, përfshirë persona që kanë marrë pjesë në komisionet zgjedhore në zgjedhjet e kaluara apo të afërmit e tyre janë pushuar nga puna për qëllime politike. Vëzhguesit u takuan me disa prej tyre të cilët konfirmuan këto pohime”, shkruhet në raport.

Lidhur me debatin mbi vendimin e KQZ për detyrimin e mediave shqiptare që të përdorin materialet filmike të parapërgatitura nga partitë politike, raporti nuk jep vlerësime por mbetet në kuadrin e konstatimeve dhe shqetësimeve të ngritura publikisht mbi këtë cështje.

Vëzhguesit shpjegojnë se “zgjedhjet parlamentare rregullohen nga një kuadër ligjor gjithëpërfshirës i cili ofron një bazë solide ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve nëse zbatohet plotësisht nga aktorët politik” ndërsa theksojnë se “nevoja për një vullnet politik në zbatimin e plotë dhe respktimin e legjislacionit është një parakusht për të mundësuar një proces zgjedhor vërtetë demokratik dhe për të forcuar besimin e publikut”.
XS
SM
MD
LG