Lidhje

Zgjedhjet, mision i ODIHR-it në Tiranë


Ekipi do të bëjë një vlerësim të situatës për të përcaktuar më pas numrin e vëzhguesve ndërkombëtarë që do të dërgohen më 23 qershor

Në Shqipëri një delegacion i i ODIHR-it, zyrës së Osbe-së së specializuar në vëzhgimin e proceseve zgjedhore, nisi sot takimet në Tiranë me autoritetet e vendit me qëllim vlerësimin e situatës dhe hartimin e një raporti mbi nevojën apo jo të dërgimit të ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtar për zgjedhjet e 23 qershorit. Delegacioni I ODIHR-it, përvec takimeve me përfaqësuesë politik do të bisedojë edhe më përfaqësues të mediave, shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë.



Me ftesë të autoriteteve shqiptare një ekip i ODIHR-it i kryesuar nga Nicola Schmidt, nëndrejtoresha e departamentit të zgjedhjeve nisi sot misionin e Vlerësimit të Nevojave, sic konsiderohet vizita e parë në një vend që zhvillon zgjedhje të cilat pritet t’i nënshtrohen gjykimit të vëzhguesve ndërkombëtarë. “Qëllimi i vizitës sonë është pikë së pari të njihemi me situatën dhe të dalim në konkluzionin nëse, ODHIR duhet apo jo, të dërgojë një mision vëzhgimi për zgjedhjet”, tha zonja Schmidt

Ajo shtoi se pjesë e takimeve të delegacionit do të jenë jo vetëm përfaqësuesit e partive politike, por edhe ata të shoqërisë civile, medias dhe të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Në përfundim të tyre ata do të publikojnë raportin me rekomandimet për gjendjen: “Si rezultat i këtyre takimeve, ne do të dalim me një raport, i cili do të publikohet ne websiten e ODHIR-it. Në këtë raport do të përshkruhet se, cilat ishin gjetjet, apo konstatimet tona në Shqipëri dhe nëse do të dërgojmë një mision vëzhgimi, apo jo”.

Janë vetë autoritetet shqiptarë që kanë kërkuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë edhe në këto zgjedhje, të cilat shihen si një test kyc për funksionimin e demokracisë shqiptare. Në këtë kuptim, në varësi të panoramës që misioni do të marrë gjatë tre ditëve të qëndrimit në Shqipëri do të përcaktohet numri i vëzhguesve që do të vijnë në qershor. Raporti i ODIHR-it është dokumenti bazë i përdorur edhe nga Brukseli në vlerësimet e tij për Shqipërinë.

Ministri i jashtëm shqiptar Panariti ripërsëriti angazhimin për një proces të drejtë zgjedhor: “Qeveria Shqiptare është e përkushtuar për organizimin e një procesi normal të drejtë zgjedhor dhe që ky mision i vlerësimit të nevojave, pa dyshim që do të ketë një kontribut të jashtëzakonshëm në garantimin e klimës së përshtatshme institucionale për organizimin e një procesi normal zgjedhor. Padyshim ne presim edhe misione të tjera vëzhguesish, siç është misioni i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, po kështu edhe misioni respektiv i Këshillit të Europës”.

Klima zgjedhore ka kohë që ndihet në Tiranë dhe praktikisht të gjitha forcat kryesore janë në fushatë duke prezantuar programet e duke bërë premtimet e radhës. Ndërkohë që procesi përgatitor nuk i ka shpëtuar polemikave që nga ato për numrin e qendrave të numërimit të votave, në ndarjen e zonave apo së fundi edhe për listat e zgjedhësve.
XS
SM
MD
LG