Lidhje

ODIHR: zgjedhjet e 23 qershorit konkurruese


Zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri janë konsideruar si konkurruese dhe në respekt të lirive themelore: ky është vlerësimi i raportit përfundimtar të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it i publikuar mbrëmë. Raporti ngre shqetësime për atmosferën politike që shoqëroi procesin, veprimtarinë e Komisionit Qendror të zgjedhjeve apo dhe të Kolegjit zgjedhor si dhe trysninë ndaj administratës. Vëzhguesit ndërkombëtar kanë renditur gjithashtu edhe 29 rekomandime për autoritetet shqiptare

Shtyllat kryesore të raportit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 23 qershorit, ishin ato të bëra publike qenë vlerësimin e tyre paraprak një ditë pas votimit. Vlerësimi për zgjedhjet është po ai se ato “ishin konkurruese me pjesmarrjen aktive të qytetarëve gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë të lirive themelore. Megjithatë atmosfera e mosbesimit mes dy forcave të mëdha njollosi klimën zgjedhore dhe kërcënoi administrimin e të gjithë procesit zgjedhor”, vleresojnë vëzhguesit.

Raporti përmend gjithë momentet kyce që i paraprinë ditës së zgjedhjeve, që nga vendimi i parlamentit për ndarjen e mandateve sipas zonave, i cili vlerësohet se “ishte në kundërshtim me parimin e procesit të rregullt ligjor dhe barazinë e votës”, te ai i mëpasshmi për shkarkimin e një anëtari të KQZ-ës i cilësuar si “i debatueshëm”. Po ashtu edhe disa veprime të Komisionit qëndror i cili mbeti me katër anëtarë thuhet se e “përforcuan përshtypjen se vepronte politikisht”.

Problematike vlerësohet trysnia ndaj administratës publike dhe përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës. “Trysnia mbi nëpunësit publikë gjatë fushatës ose për të votuar në një mënyrë të caktuar, si edhe shkarkimet e motivuara politikisht e njollosën fushatën. Akuzat për blerje të votës u intensifikuan me afrimin e datës së zgjedhjeve, me disa arrestime nga autoritetet ligjzbatuese të shtetit”- thuhet në raport.

Kritika janë shprehur edhe për fazën e postvotimit dhe asaj që lidhej me procesin ankimor. “Në raste kyce, trupat e gjykimit refuzuan të merrnin në konsideratë ankimet ose tejkaluan kompetencat e tyre. Në disa raste Kolegji mori në mënyrë të papërshtatshme përgjegjësitë administrative të KQZ-ës”, shkruhet në raport. Ndërkohë që edhe për Komisionin thuhet se “ndonëse për shkak të përbërjes së vet të reduktuar nuk duhet të merrte në konsideratë ankimimet për rezultati, i njohu vetes megjithatë autoritet ligjor”. Vendimet për hapjen e kutive per tre qarqe “nxorrën në pah diferenca të pandjeshme që të mund të ndikonin në ndarjen e mandateve”, vlerëson raporti.

Vëzhguesit ndërkombëtar kanë bërë 29 rekomandime të cilat lidhen thuajse me te gjitha fazat e procesit zgjedhor. Ata sugjerojnë që të ndërmerren “hapa të tjerë për mos të ushtruar presion ndaj të punësuarve në administratën publike për të marrë pjesë në aktivitete të fushatës elektorale apo të votojnë në mënyrë të paracaktuar”. Po ashtu në raport theksohet se “abuzimi me burimet shtetërore, përfshi ato njerëzore për qëllime elektorale mund të parandalohet duke vënë përpara përgjegjësisë ata të cilët përfshihen në lejimin e të tilla veprimeve”, ndërsa “institucionet e ligjit duhet të forcojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe të ndjekin penalisht rastet e blerjes së votës”, theksojnë vëzhguesit ndërkombëtar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG