Lidhje

OECD nxiti Ballkanin për investime dhe tregti me shtetet fqinjë


Enno Bozdo, albanian deputy minister of economy

Enno Bozdo, albanian deputy minister of economy

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, u propozoi sot vendeve anëtare nga Ballkani, Europa Qendrore dhe Juglindore që të shtojnë investimet e ndërsjellta dhe shkëmbimet tregtare midis tyre. Kjo organizatë sot zhvilloi sot në Tiranë konferencën e “Liberalizimi i tregtisë dhe integrimi europian”, ku u theksua se bashkëpunimi rajonal është një nga mënyrat më të mira për të përballuar ndikimet nga kriza ekonomike europiane. OECD e mbajti këtë konferencë në kuadër të marrëveshjes CEFTA, marrëveshja e Europës Qendrore për Tregti të Lirë. Përfaqësues të saj deklaruan se rajoni duhet të heqë dorë nga pengesat paradoksale të trashëguara dhe të zgjerojë bashkëpunimin mes vetes.



“Ne duhet që të bashkojmë investimet me tregtinë, nëse duam që të forcojmë konkurrueshmërinë - thotë Renata Vitez, sekretare e CEFTA-s. - Në situatën aktuale duhet të fokusohemi tek përparësitë, sektorët me përparësi, prodhimet me përparësi, tregtitë me përparësi. Ky kujdes dhe përqëndrim do t’i ndihmojë vendet që të ecin të sigurtë drejt integrimit europian”.

Ndërsa zëvendës-ministri shqiptar i ekonomisë, Enno Bozdo, theksoi se në këto kohë krizash dhe pasigurish çdo vendi i dalin shumë pikëpyetje, si për prodhimet, investimet dhe shkëmbimet tregtare. Marrrëveshjet e tregtisë së lirë i kanë ndihmuar të gjitha vendet që të riorientojnë shkëmbimet e tyre tregtare. “Shqipëria ka rritur ndjeshëm shkëmbimet tregtare me Kosovën, dhe tani Kosova ka zënë vendin e dytë të eksporteve me Shqipërinë, një vend që deri e dje e mbante Greqia” - thotë zoti Bozdo.

Folës të tjerë nga OECD dhe Komisioni Europian pohuan se shtetet e rajonit janë bërë më shumë realiste mbi fuqitë e veta dhe po kërkojnë më shumë rrugë origjinale për të siguruar rritjen e tyre dhe shmangien e pasojave të krizës. Ato po shmangin shkëmbimet e mëdha tradicionale me prodhues të mëdhenj, ndërsa tregtitë fqinje dhe tregjet e përbashkëta rajonale janë një realitet. Sipas tyre, sskush nuk mund të përmirësojë mjedisin ekonomik pa rregulluar më parë marrëdhëniet me fqinjët.

Ekspertët propozuan që edhe reformat kombëtare vendet duhet t’i përshtatin me politikat e bashkëjetesës fqinjësore, me shkëmbimet tregtare dhe investimet ndërkufitare. E gjtha kjo, sipas tyre, është një ndërvarësi e pashmangshme që duhet të shfrytëzuar me kujdes dhe përgjegjësi.
XS
SM
MD
LG