Lidhje

Tiranë: Nis reforma zgjedhore


Committee on Justice, Albanian Parliament

Committee on Justice, Albanian Parliament

Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore nisi sot nga puna për plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, një përpjekje për t'i afruar forcat politike shqiptare së paku për një garë të rregullt zgjedhore.

Ai është ndërtuar si një komision bipartizan prej nga pritet të dalë një reformë me mirëkuptimin e forcave kryesore politike.

Komisioni duhet të marrë në shqyrtim dy palë rekomandime të OSBE-ODIHR-it nga dy zgjedhjet e fundit.

Por përfaqësuesit e opozitës pohuan se në vitet e fundit Shqipëria ka bërë dukshëm hapa prapa me standartet ndërkombëtare, dhe se zgjedhjet shqiptare nuk kualifikohen asnjëherë si zgjedhje të përshtatshme për në BE.

Sipas tyre, procesi ishte i vonuar dhe nuk ka më kohë të mjaftueshme për të trajtuar gjithë problemet e zgjedhjeve në Shqipëri.

Reforma ka nevojë për mirëkuptim dhe vullnet politik. Opozita ka protestuar prej disa vitesh kundër blerjes së votës me ushqime dhe para dorazi, që u jepen votuesve të varfër pak ditë para zgjedhjeve.

Vëzhgues vendas dhe të huaj pohuan gjatë zgjedhjeve të fundit se një sistem adresash dhe një listë e saktë votuesish nuk janë përmbyllur ende.

Po ashtu ata njoftuan për keqpërdorimin e burimeve të administratës për fushata partiake me makinat dhe fondet e shtetit.

Vëzhguesit po ashtu kanë raportuar presionet ndaj votuesve dhe marrjen peng të kartës së identitetit të tyre kundrejt shpërblimeve si një mënyrë për ta penguar votuesin kundërshtar për të marrë pjesë në votim.

Vëzhguesit njoftuan në raportet e tyre se në zgjedhjet e fundit u bënë presione mbi zgjedhësit deri në atë pikë sa ata patën frikë për të hedhur votën sipas bindjeve të tyre pa ndëshkim.

Sipas tyre, problemi i përhershëm dhe më i madh i zgjedhjeve shqiptare për parlament dhe për zgjedhje vendore mbetet financimi i partive politike me para nga burime të panjohura, që dyshohet se vijnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, i cili kap shtetin dhe administratën e partisë fituese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG