Lidhje

Ofertë e republikanëve për tavanin e borxhit


Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner tha se do t'i ofrojë Presidentit Obama një propozim për të shmangur mos shlyerjen e detyrimeve financiare

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, John Boehner, tha se do t'i ofrojë Presidentit Obama një propozim për të rritur përkohësisht tavanin e borxhit, në mënyrë që të shmanget pamundësia e qeverisë për të shlyer detyrimet financiare.

Zoti Boehner i bëri komentet përpara ligjvënësve republikanë në prag të një takimi me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se propozimi parashikon zgjatjen e aftësisë së qeverisë për të marrë para borxh deri më 22 nëntor, por vetëm nëse Presidenti Obama pranon të negociojë lidhur me çështjen e mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane dhe rritjes afatgjatë të tavanit të borxhit.

Megjithëse propozimi republikan do të shmangte falimentimin financiar, i cili mund të ndodhë më 17 tetor, ai jo domosdo do t'i jepte fund menjëherë mbylljes së pjesshme të qeverisë që vazhdon prej 10 ditësh.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, tha se do të ishte një gabim i rëndë nëse Shtetet e Bashkuara nuk e ngrenë kufirin e huamarrjes javën e ardhshme, që ato të jenë në gjendje të shlyejnë detyrimet e shumta financiare.

Zoti Lew i tha sot një komisioni të Senatit se, pas një jave, qeveria do ta ketë të pamundur të marrë para borxh kur të jetë arritur tavani i huamarrjes prej 16.7 trilion dollarë. Në një gjendje të tillë, tha ai, Departamenti i Thesarit do të ketë në dispozicion vetëm 30 miliard dollarë si dhe disa të ardhura të tjera, të cilat nuk mjaftojnë për të paguar faturat.

XS
SM
MD
LG