Lidhje

Ndalimi i shpimeve për naftë ndikon në ekonominë e Luizianës

  • Greg Flakus

Si zyrtarët republikanë ashtu edhe ata demokratë në Luiziana thonë se moratoriumi federal për shpimet në Gjirin e Meksikës, pas shpërthimit të prillit, përbën tani problemin kryesor. Zyrtarë qeveritarë dhe shumë veprimtarë të mjedisit thonë se ndalimi i përkohëshëm i shpimeve është i nevojshëm për të parandaluar aksidente të tjera. Por banorët e Gjirit janë të shqetësuar se shumë nga punët me pagesë të lartë në sektorin e energjisë mund të mbyllen për gjithmonë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus, na informon nga Venice e Luizianës.

Rrjedhja e naftës në Gjirin e Meksikës la të ankoruara shumë anije peshkimi në deltën e Mississipit dhe në Gjirin e Meksikës.

Por më shumë njerëz në Luiziana sigurojnë jetesën nga industria e naftës dhe e gazit se sa nga peshkimi, prandaj moratoriumi i ka lënë qindra prej tyre pa punë.

Waylon La Font dhe Mathew Cheramie janë banorë të Deltës së Missisipit, të cilët kanë punuar në anijet e peshkimit si dhe në prodhimin e energjisë.

Tani ata peshkojnë në kohën e tyre të lirë, pasi ka pak punë, thotë zoti Cheramie:

"Është e vështirë të gjesh punë dhe çfardo pune që të gjesh nuk është e garantuar, sepse me këtë gjendje të ekonomisë, moratoriumi e vështirëson edhe më shumë situatën tonë".

LaFont thotë se ai siguroi të ardhura të mira në industrinë e peshkimit dhe në ndërtim, por rrjedhja e naftës dhe moratoriumi i kanë goditur të dyja këto industri:

"Moratoriumi është duke eliminuar punët në fushën e naftës dhe ata që kanë punuar atje nuk kanë shkuar në ndërtim, pasi nuk po bëhen ndërtime dhe as riparime".

LaFont dhe Cheramie e duan natyrën dhe duan që zona të mbrohet nga rrjedhjet e naftës, por Mathew Cheramie thotë se ndalimi i shpimeve në det nuk ishte i nevojshëm:

"Ajo që ata duhet të bëjnë është të hedhin një hap mbrapa për të koregjuar situatën, për të vazhduar shpimet, por duke shtuar personelin e sigurisë teknike për të garantuar që puna të bëhet në kushte sigurie dhe me korrektesë".

Këto pikpamje i shqetësojnë shumë njerëz jashtë zonës, thotë Eric Smith, Drejtor i Institutit të Energjisë në Universitetin Tulane.

Zoti Smith thotë se moratoriumi do të ketë ndikim edhe më të rëndë në muajt e ardhshme. Ai thotë se platformat kushtojnë deri në një milionë dollarë në ditë, prandaj kompanitë e naftës nuk e përballojnë dot lënien e tyre jashtë përdorimit. Ai thotë se tetë platforma shpimi, të destinuara për në Gjirin Persik u vendosën në pika të tjera dhe pas moratoriumit dy janë larguar nga Gjiri i Meksikës.

"Në se je një kompani si Murphy, një prej kompanive që largoi platformën e saj, me kontrata aktive në Afrikë dhe këtu, dhe e shikon që nuk mund të bësh shpime në Gji për dy vjet, ndërsa kontrata është pesëvjeçare, është më e favorëshme të transferohesh në Afrikë dhe të punosh atje", thotë zoti Smith.

Kohët e fundit, zyrtarë të qeverisë amerikane llogaritën se moratoriumi mund të sjellë mbylljen e rreth 23 mijë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara. Shumica e punëve në industrinë e naftës dhe të gazit kanë paga shumë më të larta se mesatarja, prandaj mbyllja e vendeve të punës ka një efekt të shumëfishtë për ekonominë në përgjithësi, jo vetëm për rajonin e Gjirit, por për gjithë vendin.

Nëse moratoriumi rezulton në një rënie të madhe të prodhimit të naftës në Gjirin e Meksikës, kjo mund të dëmtojë ekonominë, pasi në këtë zonë sigurohet një e treta e prodhimit të naftës amerikane.

Presidenti Obama thotë se moratoriumi mund të përfundojë më shpejt se sa 30 nëntori, data e caktuar nga Departamenti i Burimeve Natyrore, nëse komisioni studimor e përfundon punën më shpejt.

Presidenti argumenton se pavarësisht nga ndikimi afat-shkurtër i moratoriumit në ekonomi, masat janë të nevojshme për të mbrojtur thesaret natyrore nga aksidente të ngjashme në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG