Lidhje

Nafta në Deltën e lumit Niger


Një valë shitjesh të planifikuara të aseteve në bregdetin e Nigerisë nga kompani të mëdha të naftës kanë nxitur spekullime se më në fund ato do të largohen nga Delta e Lumit Niger për shkak të vjedhjeve, banditizmit dhe pasigurisë politike. Por në fakt, burime të kësaj industrie, thonë se firmat e huaja si Royal Dutch Shell, Chevron, Eni dhe Total nuk do të largohen.

Firmat e mëdha të naftës ka të ngjarë të shesin vetëm blloqe të vegjël, të pavlefshme për to, asetet e të cilave janë prekur më rëndë nga vjedhjet dhe sabotazhi ose fusha që rrezikojnë të konfiskohen si rezultat i fushatës së qeverisë për të nxitur pronësinë e vendasve.

Ndërkohë blloqe të mëdha të prodhimit të naftës, depozita të mëdha gazi, tubacione kryesore nafte dhe terminale eksporti, që kontrollojnë kalimin e naftës në tregjet ndërkombëtare, ka të ngjarë të mbeten në duart e tyre, duke u mundësuar atyre të kontrollojnë infrastrukturën për të cilën ata kërkojnë qira të lartë nga përdoruesit e tjerë.

Ankesat nga kompanitë e mëdha të naftës se Nigeria nuk ka bërë sa duhet për të luftuar vjedhësit e naftës ose për t’i dhënë fund pasigurisë lidhur me ndryshimet në regjimin fiskal duke miratuar ligjin për industrinë e naftës janë reale, por ato nuk do të shkaktojnë largimin e tyre nga vendi.

“Ajo që po ndodh është se asetet që nuk janë ekonomike po u shiten vendasve të interesuar. Dhe kjo po ndodh për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga miratimi i ligjit për industrinë e naftës. Dhe deri sa ligji të saktësohet dhe të qartësohet, investuesit nuk do të nxitohen në veprimet e tyre”, thotë analisti financiar, Bismark Rewane.

Prodhimi i naftës së Nigerisë, që shkon nga 2 deri në 2.5 milion fuçi në ditë, nuk ka të ngjarë të ndikohet nga shitjet e blloqeve të naftës në afatin e shkurtër, madje mund të shtohet në të ardhmen nëse kompanitë më të vogla lokale punojnë shumë për të shfrytëzuar rezervat ose mund të frenojnë më mirë pasigurinë me komunitetet lokale.

Parandalimi i vjedhjeve, që zyrtarisht përllogaritet me deri në 250 mijë fuqi në ditë, është një operacion madhor.

Shpesh këto vjedhje kanë lidhje me bandat kriminale, që vjedhin naftë të papërpunuar nga tubacionet për t’u rafinuar në vend, por pjesa më e mahde e naftës së vjedhur del nga vendi me cisterna të mëdha, gjë që nuk mund të ndodhë pa ndërlikimin e zyrtarëve të lartë.

Sidoqoftë, zyrtari i lartë ekzekutiv i kompanisë Shell, Peter Voser thotë se kompania e tij nuk do të largohet nga Nigeria.

“Gjithë çështja e sabotimit si dhe vjedhja e naftës dhe dëmtimi i mjedisit duhet të zgjidhen dhe kjo mund të bëhet vetëm nga qeveria në bashkëpunim me komunitetin dhe vetë industrinë e naftës. Duhet edhe angazhimi i menjëhershëm i qeverive të vendeve të ndryshme të botës, që kjo të arrihet për shoqërinë, ekonominë dhe burimet natyrore. Pra ne jemi të angazhuar të vazhdojmë punën në Nigeri, por disa çështje duhen zgjidhur”.

Një raport i rëndësishëm i Kombeve të Bashkuara në vitin 2011 kritikonte ashpër kompanitë shumë kombëshe të naftës, veçanërisht firmën Shell si dhe qeverinë, që për 50 vjet, me prodhimet e tyre, kanë ndotur mjdisin delikat në Deltën e lumit Niger.
Sipas raportit, kjo zonë ka nevojë për pastrimin më të madh të bërë ndonjëherë në botë, që do të marë të paktën 25 vjet dhe do të kushtojë fillimisht 1 miliardë dollarë. Kompania Shell dhe qeveria u zotuan menjëherë se do të veprojnë, por kanë kaluar 2 vjet dhe banorët thonë se nuk kanë parë shenja të fillimit të fpastrimit.
Avokati Chima Williams thotë se zonat e dëmtuara nga ndotja do të luftojnë kundër largimit të firmave nëse ato nuk pastrojnë zonën më parë.

“Nëse këto kompani mendojnë se mund të largohen pa pastruar mjedisin siç kërkohet nga raporti i OKB-së, ato do të përballen me urdhëra gjykate që të parandalohen shitjet e aseteve të tyre deri sa ato të bëjnë pastrimin”, tha zoti Williams.

Analistët thonë se rreziku i përsëritjes së trazirave dhe rritja e rrezikut të detyrimeve financiare nga çështje të ndryshme gjyqësore mund të nxisin më në fund masat e qeverisë dhe të kompanive të mëdha të naftës që të fillojnë pastrimin.


XS
SM
MD
LG