Lidhje

Rënia e çmimit botëror të naftës


Muajt e fundit, çmimi botëror i naftës ka rënë me më shumë se 30 përqind, duke u dhënë ekonomive në shumë vende një ndihmesë, por duke pakësuar përfitimet e kompanive shtetërore të naftës, prodhuesve privatë dhe kompanive që shërbejnë për shfrytëzimin e rajoneve naftë-mbajtëse. Por ekspertët thonë se çmimet e ulta nuk pritet të zgjasin shumë.

Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e çmimit të naftës është shtimi i prodhimit amerikan, që është realizuar kryesisht falë teknologjisë së frakturimit hidraulik që u shpik në Amerikë.

Jim Krane është ekspert për energjinë në Universitetin Rice.

“Ky prodhim amerikan që po hyn në treg, po bën të panevojshme naftën që vinte në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera, e cila tani po përpiqet të gjejë treg tjetër.”

Zoti Krane thotë se ekonomitë e dobësuara në Kinë dhe Evropë po ashtu kanë ndikuar në rënien e kërkesës.

Historikisht, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC-u, zakonisht pakëson prodhimin, për të rritur çmimin, por zoti Krane thotë se tani vendet anëtare synojnë të mbrojnë pjesën e tyre të tregut.

“Ata po i lenë çmimet të bien pak për të nxjerr nga tregu disa nga prodhuesit me kosto të lartë.”

Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt tek disa kompani të vogla në Shtetet e Bashkuara.

“Kompanitë e vogla, që mendojnë të investojnë në prodhimin e naftës, do ta mendojnë dy herë, në se çmimet bien nën 75 dollarë për fuçi...”

Për shumicën e konsumatorëve, ulja e çmimit të naftës është një lehtësim i mirëpritur.

Por për gjigandët e industrisë së naftës në vende si Hjustoni, në Teksas, ulja e çmimit ka disa medalje. Kompanitë e naftës atje punësojnë direkt ose indirect qindra mijëra njerëz.

Patrick Jankowski, ekonomist në Hjuston, thotë se rritja e prodhimit ka ulur fitimet.

“Në se sheh prodhimin në shtetin e Teksasit, ne po prodhojmë 4.5 milionë fuçi më shumë në muaj sesa një vit më parë. Megjithatë vlera e naftës së prodhuar në Teksas ka rënë me gati një miliarë dollarë në muaj.”

Zoti Jankowski thotë se kompanitë e mëdha, do ta përballojnë rënien e përkohshme të çmimit, por kompanitë e vogla, mund të vihen në vështirësi.

“Ato ndoshta do të fillojnë të shesin disa nga pasuritë e tyre për të siguruar fonde.”

Megjithatë çmimet e ulta të naftës nuk ka të ngjarë të vazhdojnë për një kohë të gjatë pasi teprica e prodhimit do të shuhet gradualisht.

“Deri në vitin 2016 do të shohim ndoshta rënien e prodhimit, patjetër deri në 2017. Dhe më pas do të shohim përsëri rritje të çmimit.”

Ndërsa rënia e çmimeve i bën nervoz drejtuesit e kompanive të energjisë, thotë ekonomisti Jankowski, shumica e tyre, janë të përgatitur ta përballojnë këtë situatë.

XS
SM
MD
LG