Lidhje

Ndikimi ndërkombëtar i uljes së çmimit të naftës

  • Jim Randle

Rënia e çmimit të naftës ka ndryshuar balancën strategjike dhe ekonomike mes eksportuesve dhe konsumatorëve të saj. Analistët e quajnë procesin një lojë të rrezikshme për Arabinë Saudite, Iranin, Shtetet e Bashkuara dhe prodhuesit kryesorë të naftës.

Çmimet e naftës në Shtetet e Bashkuara janë në nivelin më të ulët në vite, falë rënies së çmimit të naftës bruto.

Çmimet ranë ndjeshëm për shkak të ngadalësimit të ekonomisë në Evropë dhe pakësimit të kërkesës për energji në Azi, në një kohë që rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara ka çuar në shtimin e ofertës për naftë.

Shtimi i prodhimit, i kombinuar me rënien e kërkesës për naftë, ka komplikuar situatën ekonomike dhe energjitike të prodhuesve, sipas ekspertit James Berkeley.

"Disa prodhues shihet qartë që po luajnë një lojë pokeri. "

Në të kaluarën, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës e zgjidhte rënien e çmimeve duke pakësuar prodhimin, gjë që çonte në rritjen e çmimeve. Por këtë herë, vendet e OPEC-ut nuk ranë dakort për një marrëveshje të tillë.

Anëtari kryesor i OPEC-ut Arabia Saudite mund të prodhojë naftë me kosto të lirë, dhe ky vend ka rezerva të konsiderueshme financiare.

Sauditët mund të llogarisin se vendi i tyre mund të përballojë çmimin e ulët të naftës më gjatë sesa rivalët e tyre rajonalë që janë në vështirësi ekononike si Irani, thotë profesori Edward Turzanski.

"Sauditët duket se janë të gatshëm të paguajnë një çmim për disa probleme brenda vendit, duke ditur se kjo situatë do të dëmtojë më shumë iranianët."

Por çmimet e ulta po dëmtojnë gjithashtu ekonomitë e varura tek nafta në vende si Venezuela dhe Rusia.

Analistët thonë se udhëheqësit në Moskë dhe Karakas u kanë bërë premtime popujve të tyre bazuar në buxhete që marrin parashikojnë të ardhura shumë më të larta nga nga nafta se sa ato që po marrin tani. Kjo mund t’i detyrojë këto vende të miratojnë politika jo popullore, që mund të çojnë në dobësimin e pushtetit të tyre politik.

Çmimet e ulta të naftës kanë dëmtuar gjithashtu fitimet për prodhuesit amerikanë të naftës. Por kreu i Instutit Amerikan të Petrolit, Jack Gerard, thotë se ata do të shpëtohen nga inovacionet dhe rritja e efektshmërisë në fushat naftëmbajtëse amerikane – duke shtuar se rritja e prodhimit të naftës po rrit fuqinë e Shteteve të Bashkuara.

"Po sjell ndryshime të rëndësishme ndërsa Shtetet e Bashkuara po konkurrojnë tani me Rusisë dhe Lindjen e Mesme si fuqi dominuese për naftën dhe gazin natyror në botë."

Zoti Berkeley thotë se rritja e prodhimit amerikan të naftës po ndryshon pejsazhin gjeopolitik.

"Mendoj se kjo po bëhet çështja më e madhe ekonomike dhe gjeopolitike për tre deri në pesë vitet e ardhshme."

Analisti Berkeley thotë se është pothuajse e sigurtë që beteja mbi çmimet e naftës, prodhimin e energjisë dhe rritjen ekonomike do të bëhet gjithnjë e më intensive.

XS
SM
MD
LG