Lidhje

Çmimet e naftës ende në rënie


Kriza ekonomike dhe perspektiva jo shumë shpresëdhënëse globale janë mes arsyeve

Çmimet e naftës kanë rënë kohët e fundit duke pasquruar shqetësimet e vazhdueshme për krizën ekonomike në Evropë dhe rritjen e ngadaltë në gjithë botën. Me rënien e konsumit të naftës dhe rritjen e rezervave, disa ekspertë të energjisë besojnë se çmimet do të vazhdojnë të bien.

Konsumatorët amerikanë mund të ndjehen të lehtësuar nga ulja e çmimeve të larta të naftës. Por kjo nuk i ka zbutur shqetësimet për gjendjen e ekonomisë globale. Rayola Dougher, këshilltare e lartë ekonomike për Institutin Amerikan të Naftës thotë se bëhet fjalë për parashikimet për rënien e kërkesës.

“Dobësia në Evropë. Shqetësimet financiare për rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara, si edhe në zona të tjera me rritje edhe më të shpejtë si Kina, që gjithsesi nuk është aq e shpejtë sa ç’ishte menduar”.

Rritje e ngadaltë në gjithë botën do të thotë më pak konsum. Dhe në ekonomitë që varen ekonomikisht nga eksporti i naftës, çdo rënie në çmimin e një fuçie naftë do të thotë deri në një miliardë dollarë humbje në të ardhura.

Ndërsa shumë ekspertë thonë se çmimi nën 84 dollarë për një fuçi, mbetet fitimprurës, disa besojnë se çmimet ka gjasa të bien edhe më tej. Mes tyre është edhe redaktori i financës tek Yahoo, Matt Nesto.

“Çmimi mund të bjerë nën 80 dollarë. Mund të ndodhë. Arsyeja është thjesht pasiguria ekonomike”.

Një tjetër faktor për rënien e çmimit është marrëdhënia mes Euros dhe dollarit. Meqenëse çmimi i naftës matet me dollarë, sa më i fortë të jetë dollari, aq më i ulët është çmimi. Por analistja Dougher thotë se ka faktorë të tjerë që mund ta rrisin çmimin.

“Ka shumë pasiguri. Nuk e dimë për shembull se si do të ndikojë sezoni i uraganëve. Si do të reagojë Irani ndaj sanksioneve? Çfarë do të thotë kjo për tregun?”

Pasiguria për rezervat është një nga arsyet që industria amerikane e naftës po kërkon një projekt naftësjellësi prej 13 miliardë dollarësh që do të sillte afro një milion fuçi me naftë të papërpunuar kanadeze në rafineritë amerikane. Përveç hapjes së vendeve të punës, zonja Dougher thotë se naftësjellësi TransCanada do të pakësonte varësinë tek nafta e Lindjes së Mesme dhe do të stabilizonte çmimet.

“Sepse do të kishim më shumë naftë nga zona më të besueshme të globit dhe kjo do të ndikonte tek çmimet në përgjithësi. Sa më shumë naftë të marrësh nga zonat që kanë qëndrueshmëri politike, aq më mirë është tregu”.

Por disa thonë se rreziku për ambjentin është më i madh sesa përfitimet. Grupet ambjentaliste duan energji alternative, diçka që kritikët thonë se nuk do të ndodhë në një vit zgjedhjesh.

Përveç kësaj, prirjet për konsum energjie po ndryshojnë. Ekspertët thonë se rritja e kërkesës nga ekonomitë në rritje si Kina, mund të jetë duke u balancuar ndërsa konsumi më i ulët në perëndim ul eskportet, duke e pakësuar edhe më tej prodhimin në Azi.

Megjithëse kërkesa mund të ulet, ekspertët thonë se bota ende po konsumon mbi një milion më shumë fuçi nafte në ditë, krahasuar me vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG