Lidhje

British Petrolium në senatin amerikan për aksidentin në Gjirin e Meksikës


British Petrolium në senatin amerikan për aksidentin në Gjirin e Meksikës

British Petrolium në senatin amerikan për aksidentin në Gjirin e Meksikës

Zyrtarë të kompanisë BP dhe të firmave të tjera të lidhura me aksidentin e platformës së naftës në Gjirin e Meksikës u paraqitën sot në një seancë dëgjimore të Senatit amerikan. Ekzekutivët e kompanive po ua hedhin fajin firmave të tjera për shpërthimin dhe zjarrin që përfshiu platformën duke shkaktuar 11 të vdekur si dhe një rrjedhje masive nafte. Ndërkohë, firma BP po planifikon lëshimin në fund të oqeanit të një kupole të vogël çeliku për të mbyllur rrjedhjen e naftës, që vlerësohet në 795,000 litra në ditë. Javën e kaluar, një përpjekje e ngjashme me një kupolë më të madhe përfundoi me dështim.

Helikopterët Black Hawk po hedhin rërë mbi ishujt pranë brigjeve të Luizianës për të shmangur dëmin që rrjedhja e madhe e naftës mund t’u shkaktojë tokave të këtushme kënetore.

Deri tani, nga pusi nën det kanë rrjedhur në Gjirin e Meksikës rreth 15 milion litra naftë. Punëtorë civilë dhe ushtarakë të pajisur me makineri të rënda po përpiqen të përforcojnë tokën në bregdet për të mbrojtur faunën dhe florën delikate të kësaj zone.

Helikopterët hodhën dje thasë rëre për të ndërtuar digë që do të pengonte naftën e rrjedhur të arrijë tokat kënetore.

Ndërkohë, 1 mijë e 600 metra nën det, një nëndetëse e telekomanduar ka hedhur lëndë kimike në rrjedhjen e naftës për ta holluar atë gjë që tregon se kompania BP parashikon që nafta të vazhdojë të rrjedhë në Gjirin e Meksikës edhe për disa javë të tjera.

Inxhinjerët e kompanisë BP po provojnë tani një kupolë më të vogël për bllokimin e rrjedhjes në fund të detit si dhe planifikojnë që ta mbushin të çarën me pjesë gomash apo me topa golfi.

Punëtorët po shpojnë gjithashtu një pus anësor për të ulur presionin në pusin e prishur.

"Rasti më i keq do të ishte të prisnim deri sa të përfundojë ky pus, i cili mund të kërkojë nga 2 deri në 3 muaj kohë,” thotë eksperti i UniversitetIt të Teksasit Greg McCormack.

Kompania BP, që është përgjegjëse për pastrimin, thotë se rrjedhja e naftës i ka kushtuar asaj deri tani 350 milion dollarë. Ekspertët mendojnë se kostoja përfundimtare do të jetë shumë më e lartë dhe mund të shkojë në miliarda dollarë.

XS
SM
MD
LG