Lidhje

OKB: Krime nga të dyja palët në Siri

  • Henry Ridgewell

Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se të dyja palët në konfliktin e Sirisë po kryejnë krime kundër njerëzimit. Asnjë nga autorët e këtyre akteve, arrin në përfundim raporti, nuk i trembet përgjegjësisë për krimet. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se raporti dëshmon nevojën urgjente për përparim diplomatik, ndërkohë që Sekretari i Shtetit John Kerry përgatitet për diskutime mbi krizën me homologun e tij rus të enjten në Gjenevë.

Komisioni Hetimor i OKB-së akuzon forcat e Presidentit sirian Bashar al-Assad se kanë masakruar dhe kanë torturuar civilë, kanë bombuduar spitale, si dhe kanë sulmuar me artileri civilët, shpesh për motive sektare.

Forcat e opozitës akuzohen gjithashtu për krime kundër njerëzimit, në veçanti për ekzekutime pa gjyq.

Cilina Nasser punon me grupin e të drejtave të njeriut "Amnesty International."

"Vrasjet janë bërë kaq të lehta në Siri dhe është tepër shqetësuese të shohim shkallëzimin në këto vrasje. Për fat të keq të krijohet bindja se kjo situatë nuk do të ndalë së shpejti”.

Zonja Nasser thotë se autorët e këtyre akteve duhet të mbahen përgjegjës.

"Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është që Rusia dhe Kina të mos bllokojnë më rezolutat e OKB-së që kërkojnë që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila është organi që gëzon juridiksionin për të hetuar dhe ndjekur penalisht kriminelët e luftës”.

Ekipi i OKB-së që hartoi raportin zhvilloi 258 intervista me refugjatë, dezertorë dhe të tjerë në rajon. Por ata nuk arritën të futen në Siri, megjithëse paraqitën kërkesa të përsëritura. Lama Fakih i organizatës Human Rights Watch, tha për Zërin e Amerikës se lëvizja në Siri është e vështirë dhe e rrezikshme:

"Ata vazhdojnë t’u mohojnë hyrjen në vend. Pa mundësinë për t’u futur në Siri është shumë e vështirë të dokumentohen me bindje shkeljet e të drejtave të njeriut. Disa grupe të opozitës kanë marrë peng gazetarë, punonjës të ndihmave dhe shtetas të tjerë të huaj dhe kërkojnë shpërblim për lirimin e tyre”.

Raporti i grupit hetimor mbulon periudhën para 21 gushtit, kur qeveritë perëndimore thonë se forcat e Presidentit Assad vranë më shumë se 1 mijë civilë me gaz helmues pranë Damaskut. Por raporti nuk ngre akuza për përdorim armësh kimike para kësaj date.

Raporti do t’i paraqitet të hënën Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
XS
SM
MD
LG