Lidhje

OKB e alarmuar për shtimin vdekjeve mes refugjatëve


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët po jep alarmin lidhur me numrin e refugjatëve që kanë humbur jetën këtë vit në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe. Numri i të vdekurve është thuajse i barabartë me vitin e kaluar, kur tre herë më shumë njerëz ndërmorën udhëtimin vdekjeprurës.

Dy muaj para mbylljes së vitit, të paktën 3470 refugjatë kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar detrat e trazuara. Një vit më parë u raportuan rreth 3771 të mbytur. Shtimi i vdekjeve vjen pavarësisht rënies thuajse trefish të njerëzve që ndërmarrin udhëtimin vdekjeprurës, nga 1 milion në vitin 2015 në 327 mijë këtë vit.

Zëdhënësi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, William Spindler, thotë se rritja dramatike e numrit të vdekjeve mund t’i atribuohet rrugëve më të rrezikshme të ndjekura nga refugjatët dhe mjeteve të këqia lundruese të përdorura nga trafikantët.

“Vitin e kaluar pati rreth një milion njerëz që kaluan Mesdheun, dhe numri i vdekjeve është thuajse i njëjtë këtë vit, kur tre herë më pak njerëz u përpoqën të kalonin. Mund të thuhet se norma e vdekjeve është trefishuar.”

Zoti Spindler tha se edhe taktikat e trafikantëve po ndryshojnë. Ata kanë ndryshuar rrugët e transportit çfarë e bën më të vështirë zbulimin e tyre, por edhe punën e ekipeve të shpëtimit.

Prandaj, tha zoti Spindler, shtetet duhet të zgjerojnë programet e tyre të azilit dhe të ofrojnë rrugëkalime më të mira që refugjatët të mbërrijnë në brigje të sigurtë, përfshi këtu edhe pranimet në rrugë humanitare dhe sponsorizimeve private.

XS
SM
MD
LG