Lidhje

OKB e shqetësuar për gjendjen humanitare në Irak


Ndërkohë që militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të terrorizojnë civilët irakianë, Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se po ndeshet me vështirësi në përpjekjet për të përmbushur nevojat humanitare të gati 2 milionë njerëzve të zhvendosur nga dhuna në atë vend.

Zëvendës koordinatori humanitar i OKB-së në Irak, Kevin Kennedy, tha dje se ndërkohë që militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë përpjekjet për të zgjeruar territorin e tyre në provincën perëndimore të Anbarit, OKB-ja beson se 400,000 njerëz janë detyruar të zhvendosur për shkak të luftimeve atje.


Nëse i shtohen atyre më shumë se 860,000 njerëz të cilët kanë ikur në rajonin verior të Kurdistanit gjatë nëntë muajve të kaluar dhe qindra mijëra të zhvendosur të tjerë nga pasiguria në Irak dhe Siri, numri i përgjithshëm i të zhvendosurve arrin në 1.8 milion.

Zyrtari i OKB-së për ndihmat në Iraq, Kevin Kennedy u tha gazetarëve nëpërmjet një video lidhjeje nga Irbili se duhet të ketë një përpjekje të qëndrueshme ndërkombëtare për të trajtuar krizën humanitare në rritje.

"Ndërsa ne e kuptojmë se vëmendja e botës është përqendruar kryesisht në situatën shumë të rëndë të sigurisë në Irak dhe në rajon, ne besojmë se gjendja humanitare meriton vëmendje të barabartë dhe mbështetjen e plotë të të gjithë atyre që mund të ofrojnë ndihmë".

Kennedy tha se OKB dhe partnerët e saj po përballen me tre sfida të mëdha, shpërndarjen e ndihmave për njerëzit në nevojë në 1,500 rajone të ndryshme në Irak, disa prej tyre nuk janë nën kontrollin e qeverisë; mungesën e strehimit, dhe ardhjen e dimrit që mund të jetë shumë i ftohtë, sidomos në malet më të larta të Irakut.

"Ne kemi frikë se nëse nuk mund të ofrojmë strehim dhe ushqime për të ndihmuar njerëzit të kalojnë dimrin, situata humanitare që tashmë është e rëndë do të transformohet në një situatë vdekjeprurëse, të rrezikshme për jetën e shumë personave të zhvendosur".

Zoti Kennedy tha se OKB-ja ka mungesa të menjëhershme prej rreth 300 milionë dollarësh dhe mungesë strehimi për rreth 166,000 njerëz. Ai tha se disa të zhvendosur jetojnë nën ura dhe në qiell të hapur dhe duhet të gjejnë strehim para fillimit të dimrit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ka shprehur shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me situatën në Irak dhe Siri të shkaktuar nga luftëtarët e Shtetit Islamik. Në një deklaratë, zyra e tij, tha se zoti Ban është tejet i shqetësuar nga ofensiva e grupit në qytetin verior sirian të Kobanit, e cila ka rezultuar në zhvendosjen masive të njerëzve përtej kufirit në Turqi. Shefi i OKB-së i bëri thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur civilët atje.

Qyteti kufitar ka parë beteja intensive gjatë ditëve të fundit ndërkohë që luftëtarët kurdë në Siri po përpiqen të zbrapsin terroristët. Pavarësisht intensifikimit të sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, presidenti i Turqisë thotë se kjo zonë është në prag të rënies në duart e militantëve.

XS
SM
MD
LG