Lidhje

OKB-ja dhe BE-ja, thirrje Kirgistanit të qetësojë dhunën etnike


Kombet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Kirgistanit të qetësojë dhunën etnike në jug që ka detyruar rreth 275 mijë vetë të largohen nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët thanë se përleshjet që patën si objektiv uzbekët etnikë kanë shkaktuar të paktën 170 të vrarë dhe më shumë se 1 mijë e 700 plagosur në qytetet Osh dhe Xhalalabad.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq thanë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë. Agjencitë e ndihmave filluan shpërndarjen e ndihmave në zonat e prekura. Presidentja e përkohshme e Kirgistanit Roza Otunbajeva tha se një referendum kombëtar për kushtetutën e re do të zhvillohet sipas planit, pavarësisht nga dhuna.

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kirgistanit të mos i lejojë trazirat të shtyjnë referendumin dhe zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në tetor. Ndërkohë zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut tha se ka prova që tregojnë se dhuna ishte e koordinuar dhe filloi me pesë sulme të njëkohëshme në qytetin Osh të enjten e kaluar.

Një zëdhënës i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, Andrej Mahecic tha sot se në se nuk vendoset menjëherë paqja dhe rregulli, do të ketë një numër më të madh të zhvendosurish që përpiqen të shkojnë në Uzbekistanin fqinj. Ai tha ishte i alarmuar për shkallëzimin e menjëhershëm të dhunës që filloi të enjten e kaluar.

XS
SM
MD
LG