Lidhje

Siri: Autoritetet pengojnë ndihmat e Kryqit të Kuq

  • Zëri Amerikës

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se autoritetet siriane kanë bllokuar punonjësit e tij të shpërndajnë furnizimet mjekësore dhe ndihmat humanitare në lagjen Baba Amr të qytetit të shkatërruar të Homsit.

Presidenti i Kryqit të Kuq Jakob Kellenberger tha në një deklaratë sot se një autokolonë me shtatë kamionë me ndihma nuk u lejuan të hyjnë në lagjen Baba Amr, ku rebelët dhe qytetarët kanë qënë të rrethuar nga forcat qeveritare për gati një muaj. Kryqi i Kuq tha se qeveria fillimisht dha leje të enjten për të hyrë në këtë lagje.

Kellenberger tha se është e “papranueshme” që banorët e Baba Amrit të mos marrin asnjë ndihmë. Ai konfirmoi se punonjësit e ndihmave nga Kryqi i Kuq dhe dega e organizatës në Siri do të qëndrojnë në Homs gjatë natës me shpresën se do të lejohet të hyjnë në Baba Amr në një të ardhme të afërt.Aktivistët thanë se situata e rënduar humanitare çoi dje në një tërheqje taktike të forcave opozitare.

Zyra e të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara tha sot se ka marrë njoftime të pakonfirmuara për 17 ekzekutime në Baba Amr.

Një zëdhënës i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut tha se organizata po I bën thirrje autoriteteve siriane të ndalin masat ndëshkimore të paligjshme, torturat dhe paraburgimet arbitrare.

XS
SM
MD
LG