Lidhje

OKB: Këshilli i Sigurimit miraton njëzëri sanksione kundër qeverisë së Gadafit


OKB: Këshilli i Sigurimit miraton njëzëri sanksione kundër qeverisë së Gadafit
OKB: Këshilli i Sigurimit miraton njëzëri sanksione kundër qeverisë së Gadafit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi njëzëri për të vënë sanksione kundër qeverisë së Muamer Gadafit për shkak të përdorimit të dhunës ndaj protestuesve dhe për t’i kaluar çështjen gjykatës për krimet e luftës.

Rezoluata u miratua mbrëmë dhe parashikon ngrirjen e të gjitha pasurive të zotit Gadafi, katër djemve dhe vajzës së tij, si dhe 10 anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë. Po ashtu rezoluta ndalon edhe udhëtimet jashtë vendit të këtyre 16 individëve. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, ranë gjithashtu dakord që t’i paraqesin aktivitetin e rregjimit libian kundër demonstruesve gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës, për të bërë hetimet e nevojshme për krime kundër njerëzimit.

Këshilli kërkoi gjithashtu që t’i jepet fund sulmeve kundër civilëve libianë nga përkrahësit e zotit Gadafi.

Kombet e Bashkuara thonë se në Libi janë vrarë mbi 1000 protestues kundër qeverisë.

Në Uashington, Presidenti Barak Obama, tha se zoti Gadafi “ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr” dhe duhet të largohet nga pushteti menjëherë.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama e bëri këtë deklaratë në një bisedë telefonike dje me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Më tej në deklaratë thuhet se udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë kanë “shqetësime të përbashkëta” rreth vazhdimit të dhunës kundër protestuesve në Libi dhe diskutuan “mënyra të përshtatëshme dhe efektive” si përgjigje nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Po ashtu dje, sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Shtetet e Bashkuara po marrin masa për ta mbajtur qeverinë e zotit Gadafi “përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut”. Ajo tha se Departamenti i Shtetit u ka hequr vizat për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara udhëheqësve libianë dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Presidenti Obama nënshkroi të premten urdhërin ekzekutiv për sanksione të njëanëshme kundër Libisë, duke thënë se vazhdimi i trazirave dhe dhunës atje përbëjnë “kërcënim të jashtëzkonshëm dhe të rrezikshëm” për sigurimin kombëtar dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Po të premten, Bashkimi Evropian ra dakord t’i vendoste embargo armësh Libisë, sëbashku me ndalimin e udhëtimeve dhe ngrirjen e pasurive.

XS
SM
MD
LG