Lidhje

OKB, fillon punën misioni për luftimin e Ebolës


Organizata e Kombeve të Bashkuara ka hapur selinë e misionit të saj të ri për luftimin e Ebolës, duke mbledhur një ekip në Gana për të koordinuar operacionet ndërkombëtare.

Kreu i misionit, Anthony Banbury, dhe ekipi i tij arriti të hënën në kryeqytetin e Ganës, Akra.

Kjo është hera e parë që Organizata e Kombeve të Bashkuara krijon një mision të emergjencës shëndetësore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun thotë se misioni do të ndihmojë në unifikimin e përgjigjes ndaj përhapjes së Ebolës, koordinimin e ndihmës ndërkombëtare dhe mbështetjen për vendet e prekura.

Misioni i OKB-së për Reagimin Emergjent ndaj Ebolës, i njohur si UNMEER, në përbërjen e tij ka edhe grupe që po udhëtojnë në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, tre vendet më të goditura nga kjo epidemi.

Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi të dhëna të reja që tregojnë se numri i vdekjeve nga Ebola në Afrikën Perëndimore është mbi 3000.

OBSH gjithashtu paralajmëroi se të dhënat e reja mund të mos pasqyrojnë plotësisht pasojat e epidemisë, që besohet se ka prekur të paktën 6,500 persona. OBSH thotë se shumë viktima kanë frikë të shkojnë në spitale ose nuk pranohen nga spitalet për shkak të mbipopullimit të tyre me të sëmurë nga Ebola.

XS
SM
MD
LG