Lidhje

Nigeri, mendohet të jenë rrëmbyer vajza të tjera


Banorët në një fshat verior të Nigerisë thanë se persona të dyshuar si anëtarë të grupit Boko Haram kanë rrëmbyer 8 vajza të tjera në rajon. Ata thane se persona të armatosur hynë me forcë në fshat dhe i rrëmbyen vajzat. Ata morën me vete edhe ushqime dhe bagëti gjatë sulmit.

Këto rrëmbime pasojnë ato që ndodhën më 14 prill, kur persona të armatosur rrëmbyen mbi 300 vajza nga shkolla në qytetin Chibok. Autoritetet nigeriane thonë se disa prej tyre mundën të shpëtojnë, por nuk dihet fati i 276 vajzave të tjera.

Shtetet e Bashkuara thane se po i japin Nigerisë ndihmë kundër terrorizimit, për kërkimin e qindra vajzave të rrëmbyera muajin e kaluar nga grupi i militantëve islamikë Boko Haram.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha dje se rrëmbimet janë një tragjedi e tmerrshme dhe se zyrtarët amerikanë të sigurisë kombëtare janë duke e ndjekur nga afër situatën.

Boko Haram mori përgjegjësinë për rrëmbimin e vajzava përmes një videoje të publikuar dje nga agjencitë e lajmeve. Në video, udhëheqësi i grupit, Abubakar Shekau thotë “unë i rrëmbeva vajzat tuaja” dhe zotohet se do t’i shesë ato në treg.
XS
SM
MD
LG