Lidhje

OKB paralajmëron për rritjen alarmante të çmimeve të ushqimit


OKB paralajmëron për rritjen alarmante të çmimeve të ushqimit

OKB paralajmëron për rritjen alarmante të çmimeve të ushqimit

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se çmimet globale të ushqimeve po ngrihen në nivele alarmante. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë thotë se kostoja e ushqimeve bazë si cerelaet, mishit dhe bulmetit janë ngritur për tetë muaj me radhë duke arritur nivele të reja në muajin shkurt. Agjencia e OKB-së thotë se çmimet e ushqimeve mund të ngrihen edhe më shumë për shkak të trazirave në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore.

Çmimet e ushqimit kanë arritur nivelin më të lartë që kur Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë filloi t’i monitoronte çmimet para dy dekadash. Ekonomisti kryesor i drithërave në agjenci, Abdul-reza Abasian, thotë se përveç sheqerit, çmimi i ushqimeve bazë si gruri, mishi dhe bulmeti janë ngritur vazhdimisht që nga qershori.

“Kemi arritur në nivele historike. Çmimet në muajin shkurt u ngritën edhe më shumë. Prandaj kur e llogarit, vë re që çmimet ndërkombëtare për produktet bazë kanë arritur nivele të reja rekord.”

Çmimet e larta të ushqimit nxitën protestat në Egjipt dhe Tunizi.

Por zoti Abasian thotë se çmimet e larta të naftës për shkak të trazirave në Libi po e rëndojnë situatën.

“Sektori i ushqimit lidhet ngushtë me sektorin e energjisë përmes biokarbureve, prandaj kur çmimet e naftës rriten shumë, ka gjithmonë më shumë nxitje për prodhimin e biokarbureve, çka do të thotë përdorimin e më shumë të korrave për prodhimin e tyre.”

Ekonomistët thonë se kjo ndodhi edhe në vitet 2007 dhe 2008, kur çmimet e naftës nxitën kërkesën për biokarbure si etanoli.

Grupi ndërkombëtar i ndihmave Oksfam thotë se miliona njerëz në mbarë botën po kalojnë në varfëri ndërkohë që përpiqen të paguajnë ushqimet bazë. Organizata po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos lejojë spekullimet rreth çmimeve të naftës dhe të ulë kërkesën për biokarbure.

Derisa kjo të ndodhë, zoti Abasian paralajmëron se çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të ngrihen.

“Sa më gjatë që çmimet të mbeten të larta, aq më shumë do të ndjehet ndikimi në sektorin e drithërave gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm.”

Zoti Abasian thotë se një ndryshim i madh mes situatës së tanishme dhe krizës ushqimore të vitit 2008 është se çmimi i orizit, bazë për gjysmën e popullsisë së botës, është rritur më pak se 4 për qind që nga viti i kaluar.

Ndërsa çmimet e grurit, nga ana tjetër, janë ngritur me 60 përqind, çmimet e misrit, një përbërës kryesor i biokarbureve, janë ngritur 93 për qind që nga viti i kaluar.

XS
SM
MD
LG