Lidhje

Përplasje e pikëpamjeve amerikane dhe ruse në OKB


Presidenti amerikan Barak Obama dhe Presidentin rus Vladimir Putin prezantuan pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me mënyrat për të zgjidhur konfliktin katër vjeçar në Siri.

Para takimit që dy udhëheqësit pritet të zhvillojnë më vonë të hënën, zoti Obama tha në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se pas gjakderdhjes dhe kasaphanës që ka përjetuar Siria, ky vend nuk mund të rikthehet në status-kuonë e para luftës. Ai bëri thirrje për një “tranzicion të menaxhuar” për të larguar nga pushteti Bashar al-Assadin.

Por udhëheqës rus Vladimir Putin, i cili foli para Asamblesë së Përgjithshme për herë të parë në një dekadë, paralajmëroi se do të ishte gabim i madh të anashkalohej qeveria e Assadit në luftën kundër ISIS.

Zoti Obama tha se nuk ka “zgjidhje të lehta” për konfliktin në Siri, por theksoi se duhet të përdoret diplomacia “për të arritur një marrëveshje që populli sirian të mund të jetojë në paqe”. Ai e sulmoi Assadin si një udhëheqës “që hedh bomba mbi popullin e tij”.

"Katastrofa si Siria nuk ndodhin në vende ku ka një demokraci të vërtetë,” tha zoti Obama. Ai bëri thirrje për bashkëpunim global për të zgjidhur konfliktet në botë.

Por zoti Obama u doli gjithashtu në mbrojtje forcës ushtarake amerikane dhe fushatës së Shteteve të Bashkuara kundër ISIS në Irak dhe Siri.

Zoti Obama kritikoi Rusinë për aneksimin e Krimesë dhe rolin e saj në mbështetje të separatistëve që veprojnë në Ukrainën lindore. Udhëheqësi amerikan u doli në mbrojtje sanksioneve kundër Moskës, si një reagim i dokosdoshëm ndaj situatës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG