Lidhje

OKB: Përkeqësohet situata humanitare në Siri

  • Larry Freund

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara tha të mërkurën se populli sirian po “vuan rëndë” nga intensifikimi i mëtejshëm ushtarak i konfliktit në atë vend.

Në një raport për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nën-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështje Politike, Jeffrey Feltman, tha se qeveria siriane dhe opozita janë përqëndruar në operacionet ushtarake, në të cilat forcat qeveritare janë duke përdorur armë të rënda kundër qendrave të populluara.

“Përkeqësimi i shpejtë i situatës humanitare është shqetësues për ne. Rreth 2.5 milion njerëz janë në nevojë për ndihmë humanitare, ndërsa numri i personave të zhvendosur në Siri dhe largimi i refugjatëve në vendet fqinje është në rritje”.

Koordinatorja e OKB-së për ndihmë emergjente, Valerie Amos, u tha gazetarëve se nevojat më urgjente në Siri janë kujdesi shëndetësor, strehimi, ushqimi dhe uji. Zonja Amos, e cila ishte në Siri javën e kaluar, tha se gjendja humanitare atje është përkeqësuar që prej vizitës së saj atje në mars. Ajo tha se OKB-ja është duke siguruar ushqim për qindra e mijëra sirianë, përfshirë pako higjienike, batanije dhe artikuj të tjerë bazë. Por, ajo thotë se ndihma nuk është e mjaftueshme.

“Nuk mund të përmbushim nevojat e rreth 2.5 milion njerëzve. Ne kemi vështirësi t’u ndihmojmë njerëzve në nevojë, veçanërisht në zonat e përfshira nga luftime intensive dhe të vazhdueshme. Por edhe financimi nuk është i mjaftueshëm. Nëse do të kishte më shumë burime, ne do të mund të ndihmonim më shumë njerëz”.

Në raportin e tij për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nën-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Jeffrey Feltman paralajmëroi se ndërkohë që kriza në Siri vazhdon të përkeqësohet, situata në Liban është duke u bërë më e pasigurt. Zoti Feltman tha se po rritet nevoja për mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare për qeverinë libaneze dhe për forcat e saj të armatosura.
XS
SM
MD
LG