Lidhje

OKB: Palët në Siri, përgjegjëse për abuzime të rënda


Ndërkohë që përpjekjet e ndërkombëtarëve për të ndryshuar situatën në Siri, nga një konflikt i armatosur në një tranzicion politik, vazhdojnë pa shumë përparime deri tani, zyrtarja më e lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se kriza rrezikon të përshkallëzohet dhe se të dyja palët janë përgjegjëse për abuzime të rënda.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay u tha gazetarëve se furnizimi me armë i forcave qeveritare siriane dhe i opozitës së armatosur po nxit dhunën, dhe se çdo militarizim i mëtejshëm i konfliktit duhet të shmanget.

Zonja Pillay fajësoi të dyja palët dhe tha se qeveria kishte kryer shkelje të shumta:

"Bombardime pa dallim të zonave civile, vrasje të shënjestruara të aktivistëve dhe të mbështetësve të opozitës, burgosje arbitrare, tortura dhe përdhunime, sulme mbi spitale dhe klinika, si dhe përdorim të objekteve shëndetësore për operacione ushtarake."

Komisionerja Pillay përmendi gjithashtu shkelje të kryera nga opozita.

"Shkeljet nga ana e forcave opozitare përfshijnë vrasjet e të dyshuarve si informatorë apo si bashkëpunëtorë qeveritarë; përdorimin në rritje të mjeteve eksplozive të improvizuara, duke shkaktuar të vrarë dhe të plagosur civilë. Ne kemi raporte të besueshme që tregojnë se grupe të armatosura kanë marrë nën kontroll të paktën një objekt mjekësor për qëllime ushtarake."

Zonja Pillay tha se ajo përsëriti thirrjen e saj për Këshillin e Sigurimit, duke kërkuar që situata në Siri të paraqitet para Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Ndërkohë që Misioni Mbikëqyrës i OKB-së në Siri hyri në javën e tretë të pezullimit, për shkak të shkallëzimin të dhunës në terren, dhe në një kohë kur e ardhmja e tij është e paqartë, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay i kërkoi Këshillit të Sigurimit të forcojë dhe të mbështesë funksionin e 300 vëzhguesve të paarmatosur, në mënyrë që ata të mund të monitorojnë dhe raportojnë.

Mundësia e një fillimi të shpejtë të një tranzicioni politik mbetet e vështirë, pasi grupet siriane të opozitës e kundërshtuan udhërrëfyesin e takimit të Gjenevës, duke thënë se një tekst jo krejtësisht i qartë, që lë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së Presidentit sirian Bashar al-Asad në një qeveri të përkohshme, është i papranueshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG