Lidhje

OKB: Somalia nën kërcënimin e urisë


Shefja e OKB-së për çështjet humanitare paralajmëroi dje se Somalia kërcënohet nga mungesa të rënda ushqimore dhe se 50 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeç mund të vdesin nga urija nëse nuk ka ndihma urgjente.

Valerie Amos tha para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se përparimet drejt paqes dhe stabilitetit gjatë dy vjetëve të fundit mund të rrezikohen nëse Somalia ballafaqohet me një krizë urije të ngjashme me atë të vitit 2011.

"Afro 857,000 vetë në Somali kanë nevoja urgjente për furnizime jetike. 2 milionë të tjerë kanë mungesa ushqimore dhe kanë nevojë për ndihma të vazhdueshme dhe të domosdoshme”.

Zonja Amos vuri në dukje se mbi 1 milion somalezë janë zhvendosur brenda vendit të tyre dhe 1 milion të tjerë kanë gjetur strehim në vendet fqinje.

Ajo shtoi se përparimet politike dhe të sigurisë nuk kanë sjellë përmirësime të situatës humanitare. Vonesat në sezonin e shirave dhe moti i paparashikueshëm e ka ndërlikuar situatën dhe mund të rezultojë në prodhim nën mesataren vjetore kur të korren të mbjellat në korrik dhe gusht.

"Situata është rënduar më tej nga ofensiva ushtarake dhe taktikat e reja të al-Shababit, për bllokimin e rrugëve të transportit dhe rrethimin e zonave të caktuara”.

Zonja Amos tha se taktikat e grupit ekstremist në këto zona kanë penguar aktivitetin tregtar dhe lëvizjen e ndihmave humanitare. Ajo shtoi se fondet për programet e ndihmave kanë rënë ndjeshëm duke detyruar komunitetin ndërkombëtar të reduktojë programe bazë. Sipas shefes së operacioneve humanitare, UNICEF-i ka paralajmëruar se 50 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeç mund të vdesin nga mungesat ushqimore nëse nuk dërgohen ndihma.

OKB u kërkoi donatorëve ndihma në shumën 933 milionë dollarë për këtë vit. Nga kjo shifër vetëm 20% është grumbulluar. Zonja Amos tha se OKB ka nevoja urgjente për 60 milionë dollarë për tre muajt e ardhshëm në përgjigje të situatës emergjente me ushqimin dhe shëndetin e popullatës.
XS
SM
MD
LG