Lidhje

Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Udhëheqësit botërorë do të mblidhen të martën një Nju Jork për takimin e tyre vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Bashir, na informon se konflikti sirian dhe pjesëmarrja e presidentit të ri iranin kanë të ngjarë të dominojnë takimin.

Këtë vit, udhëheqësit botërorë nuk do të takohen në sallën e madhe të Asamblesë së Përgjithëshme që po rinovohet plotësisht. Ata do të mblidhen për detatin vjetor në një sallë moderne konferencash që është e veshur me mermer të gjelbër.

Sekretari i Përgjithëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e ka bërë të qartë se Siria do të mbizotërojë rendin e ditës, duke thënë se ajo është sfida më e madhe e paqes, sigurisë dhe gjendjes humanitare që ndesh bota sot.

“Të jemi të qartë, përdorimi i armëve kimike në Siri është vetëm maja e aisbergut. Vuajtjet në Siri duhet të marrin fund”.

Lojtarët kryesorë në konfliktin sirian do të takohen krahas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, do të diskutojnë si të vënë në zbatim marrëveshjen e tyre për Sirinë që kjo e fundit të heqë dorë nga arsenali i saj i armëve kimike dhe t’i shkatërrojë ato.

Sekretari i Përgjithëm i OKB-së planifikoi një takim me të pesë ministrat e jashtëm të vendeve të përherëshme anëtare të Këshillit të Sigurimit. Zoti Ban dhe përfaqësuesi i tij i përhershëm në Siri, Lakhdar Brahimi, do të takohen edhe me zotin Kerry dhe zotin Lavrov për të diskutuar se si ta shfrytëzojnë momentin për një zgjidhje politike të Luftës Civile në Siri.

“Shpresoj sinqerisht se kur ne të takohemi, do të jemi në gjendje të caktojmë një datë për takimin e dytë të në Gjenevë”.

Po ashtu me interes ndërkombëtar është vizita e presidentit të ri të Iranit, Hassan Rouhani, i cili deri tani ka folur me një ton më të moderuar se sa parardhësi i tij, Mahmoud Ahmadinejad.

Shumë udhëheqës presin të dëgjojnë se çfarë do të thotë zoti Rouhani dhe nëse qeveria e tij është e gatshme të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin dhe t’u përgjigjet pyetjeve rreth programit bërthamor të Iranit.

Ndërkohë po shtohen spekulimet se presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit do të zhvillojnë një takim jozyrtar në Nju Jork.

Megjithëse media do të përqendrohet tek kriza në Siri dhe presidenti i Iranit, më shumë se 130 presidentët dhe kryeministrat që do të vinë në Nju Jork do të shfrytëzojnë rastin që u jep takimi vjetor për të diskutuar shumë çështje kritike dhe konflikte të tjera.
XS
SM
MD
LG