Lidhje

Asambleja e Përgjithshme kundër aneksimit të Krimesë


Shumica e vendeve anëtare të OKB-së i thanë dje Moskës se nuk njohin aneksimin e rajonit të Ukrainës. Vota në Asamblenë e Përgjithshme për një rezolute të paraqitur nga Ukraina dhe afro 50 vende bashkë-sponsorizuese, tregoi se 100 vende anëtare mbështesin unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Këto vende theksuan gjithashtu se referendumi i 16 marsit në rajonin e Krimesë është i pavlefshëm. Referendumi u zhvillua në praninë e trupave ruse dhe çoi në aneksimin e Krimesë nga Moska javën e kaluar.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Deshchytsia, tha se veprimet ruse shkelin Kartën e OKB-së:

"Shumë ende nuk po arrijnë ta kuptojnë këtë realitet – kjo ndodhi në Ukrainë, në zemër të Evropës, në shekullin XXI”.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi ligjore si rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por kanë peshë morale në komunitetin ndërkombëtar.

Shumë delegacione shprehën mbështetje për Ukrainën, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ambasadorja Samantha Power tha se rezoluta mbështet bindjen se “kufijtë nuk janë thjesht një sugjerim”.

"Kemi thënë gjithmonë se Rusia kishte interesa legjitime në Ukrainë; na zhgënjeu thellë sjellja e Rusisë në Ukrainë, sikur ukrainasit të mos kishin interesa legjitime në Krime, në një kohë kur Krimeja është pjesë e Ukrainës”.


Njëzet e tetë vendet e Bashkimit Evropian shprehën mbështetje për Kievin. Ambasadori i Bashkimit Evropian Thomas Mayr-Harting tha se blloku ka dënuar agresionin ushtarak rus.

"BE i bën thirrje Rusisë të ndërmarrë masa për të qetësuar krizën, të tërheqë menjëherë forcat në nivelin para krizës dhe t’i kthejë në garrizone siç thuhet në angazhimet ndërkombëtare; Rusia duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përmes negociatash, në përputhje të plotë me marrëveshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Dhjetë vende mbajtën anën e Moskës duke votuar kundër rezolutës, përfshirë Sirinë, Korenë e Veriut dhe Kubën. Ndër vendet që abstenuan ishin Kina, dhe një numër vendesh afrikane dhe të Amerikës Latine.

Ambasadori rus Vitali Churkin tha se rezoluta acaron situatën dhe është e panevojshme. Ai u tha gazetarëve se abstenimi i 58 vendeve tregon mbështetje në rritje për qëndrimin e Moskës.

"Megjithëse kjo rezolutë u miratua nga Asambleja e Përgjithshme, mendoj se ishte një fitore morale për diplomacinë ruse, pasi një numër më i madh vendesh po fillojnë ta kuptojnë sa e ndërlikuar është situata si dhe motivet që çuan në veprimet e Krimesë dhe Federatës Ruse”.

Por në komentet për Zërin e Amerikës, ministri i jashtëm i Ukrainës tha se mbështetja globale për vendin e tij po shtohet:

"Mbështetja e komunitetit ndërkombëtar po rritet dhe zgjerohet si dhe po bëhet më konkrete”.

Ai tha se kjo mbështetje përfshin sanksione ekonomiket që BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur mbi individë rusë dhe ish-zyrtarë ukrainas.
XS
SM
MD
LG