Lidhje

Shpirti luftarak i Oklahomës


Banorët e shtetit me rrafshina të Oklahomës kanë treguar vendosmëri në kapërcimin e katastrofave, si natyrore edhe njerëzore. Para një jave, një tornado e fuqishme përshkoi qytezën Moore, në Oklahoma duke shkaktuar vdekjen e mbi 20 vetëve.

Todd Mauldin nga një zonë rurale e Oklahomës, humbi shtëpinë dhe kamionin:

“Isha rrezikuar dy herë më parë. Kjo ishte hera e tretë dhe nuk i shpëtova dot”.

Kjo lloj qetësie dhe vendosmërie është një tipar i admirueshëm i banorëve të Oklahomës.

Në këtë lagje të shkatërruar në distriktin Moore, shumë njerëz mendojnë të rindërtojnë dhe të rifillojnë jetën.

Kjo nuk është hera e parë që ky shtet është përballur me tragjedi. Ka vuajtur më shumë katastrofa për njeri, se çdo shtet tjetër dhe jo të gjitha kanë qenë natyrore.

Më 19 prill, 1995 një bombë shpërtheu para godinës federale Murrah në Qytetin e Oklahomës, duke shkaktuar vdekjen e 168 personave.

Më pas, Timothy McVeigh, u gjykua, dënua dhe ekzekutua për këtë krim. Banorët e Oklahomës bashkuan forcat për të ndihmuar viktimat dhe më pas ngritën këtë monument, me karrige prej metali në rreshta njëri pas tjetrit, aty ku më parë ngrihej godina.

Sue Craig, një guidë turistike, flet për simbolikën:

“Janë 168 karrige, një për çdo person dhe nën secilën prej tyre, shkruhet një emër”.

Craig e kujton mirë atë ditë, megjithëse nuk ishte vetë e pranishme:

“Isha mësuese në Moore, vendi ku goditi tornadoja së fundmi”.

Reagimi ndaj shpërthimit, ishte frymëzim për shprehjen “Standardi i Oklahomës”. Presidenti Obama iu referua këtij standardi gjatë një vizitë në këtë shtet të dielën:

“Kjo zonë ka përjetuar shumë dhimbje por njerëzit këtu janë krenarë për Standardin e Oklahomës, aftësinë për të kapërcyer katastrofa të tilla, duke u bërë edhe më të fortë se më parë”.

Standardi i Oklahomës u duk qartë pas tornados:

Vullnetarët kanë ardhur me ushqim, ujë dhe artikuj të tjerë të nevojshëm. Joey Dean, që po studion për t’u bërë prift baptist thotë se kjo është një sjellje tipike e banorëve të Oklahomës.

“Sa herë që ndodh një katastrofë, ne thjesht përveshim mëngët dhe ndihmojmë. Nuk jemi nga ata që rrinë rehat në shtëpi. Ne duam të shkojmë dhe të ndihmojmë fqinjët”.

Dhe ata që janë prekur nga katastrofa e vlerësojnë këtë ndihmë si Brooklyn Pearce and her family:

“Është e mrekullueshme të jetosh në Oklahoma dhe të gjithë vijnë menjëherë për të të ndihmuar”.

Zyrtarët e këtij shteti janë të kënaqur nga reagimi. Por ata thonë se nxjerrin mësime nga çdo katastrofë, që të jenë edhe më efikasë nëse ndodh përsëri.

Me kalimin e kohës, banorët do të rindërtojnë dhe do të ecin përpara me jetën e tyre, por siç tregon shpërthimi tek përkujtimorja, ata do të ruajnë gjithashtu një vend në zemrat e tyre për ata që humbën jetën.
XS
SM
MD
LG