Lidhje

E diela në Rio: Amerikanët thyejnë rekorde; Kosova, medalje të artë


Konkurrimet vazhdojnë sot në ditën e tretë të Lojërave Olimpike me garat në not, gjimnastikë, ragbi për femra, xhudo, etj.

Po sot do të prezantohen për herë të parë në Olimpike një numër sportistësh.

Ibtihaj Muhammad, e para sportiste amerikane që konkurron me kokë të mbuluar, do të debutojë për herë të parë në pistën olimpike.

Ibtihaj, një vajzë afrikano-amerikane u rrit në një familje myslimane në Nju Xhersi. Tani në moshën 28-vjeçare, ajo thotë se i pëlqen shumë sporti, por iu desh kohë të gjente veten në konkurrimet sportive.

Ajo filloi të aktivizohej në skermë në 1999 në moshën 13 vjeçare. Në vitin 2007 vendosi të arrinte përfaqësim kombëtar, pasi pa që ekipi kombëtar amerikan ishte vetëm me vajza të bardha. Në 2011, Ibtihaj u bë sportistja e parë myslimane që përfaqësonte Shtetet e Bashkuara. Ajo renditet e dyta në Shtetet e Bashkuara dhe e 12-të në botë.

Ragbi rikthehet në olimpike. Katër ekipet më të mira të ragbit për femra konkurrojnë sot për medalje: Kanadaja, Britania, Australia dhe Zelanda e Re.

Ekipet amerikane morën medalje dhe thyen rekorde në ditën e dytë të Olimpikeve.

Ekipi amerikan i notit për meshkuj fitoi medaljen e artë në stafetën 4x100 metra. Amerikanët rifituan titullin kampion olimpik pasi ekipi francez mori medaljen e artë në 2012. Këtë radhë Franca doli e dyta.

Michael Phelps, i cili i siguroi ekipit epërsi gjatë stafetës, mori dje medaljen e 19-të të artë olimpike. Ai mbetet sportisti më i suksesshëm në historinë e olimpikeve moderne.

Sot Phelps noton në garat e kualifikimit në 200 metra stil delfin, ku ai mban rekordin botëror dhe olimpik.

Ekipi amerikan i basketbollit, i cili siguroi fitore përballë Kinës 119-62 dje, sot përballet me Venezuelën.

Notarja amerikane Katie Ledecky theu rekordin botëror të vendosur nga ajo vetë në 400 metra stil i lirë dje në Lojërat Olimpike. Ajo kthehet sot për garën e 200 metrave stil i lirë. Ledecky e mbylli garën me 3 minuta e 56.46 sekoda, duke e shkurtuar me dy sekonda rekordin dhe duke marrë medaljen e parë të artë në këto Olimpike në 400 metra not stil i lirë.

Adam Peaty i Britanisë theu rekordin botëror në 100 metra stil bretkocë me 57.13 sekonda. Më parë suedezja Sara Sjostrom theu rekordin botëror për femra në 100 metra stil bretkocë.

Kampionia aktuale e tenisit, amerikania Serena Williams kishte një situatë të vështirë nga era e fortë gjatë lojës përballë australianes Daria Gavrilova, të cilën e mundi me rezultatin 6-4 dhe 6-2. Organizatorët u kritikuan gjerësisht që lejuan zhvillimin e lojës në “kushte të shëmtuara”.

Në tenis për dyshe, dy motrat Serena dhe Venus Williams kishin shpresa për medaljen e katërt të artë, por u mundën nga çeket Lucie Safarova dhe Barbora Strycova. Ishte humbja e parë e motrave Willians në garat dyshe në konkurrimet olimpike. Së bashko ato kanë fituar 15 lojëra të mëparshme dhe kanë marrë titullin kampione në 2000, 2008 dhe 2012.

Në një rezultat të papritur, numri 1 i tenisit për meshkuj, serbi Novak Gjokoviç u mund në tre sete radhazi nga argjentinasi Juan Martin del Potro.

Erëra me shpejtësi deri në 25 km në orë detyruan shtyrjen e garave pasuese dje në kompleksin Barra në Rio. Braziliani Thomaz Belluci, i cili luajti në fushën qendrore të kompleksit, tha se kjo lojë shënonte “të parën herë që konkurroj në kushte kaq të tmerrshme në jetën time”.

Era detyroi edhe ndërprerjen e fluturimit të helikopterëve që po ndiqnin garat e çiklizmit për femra. Vozitësit u nxorën nga uji pasi dallgët e mëdha përmbysën një nga varkat duke detyruar shtyrjen e disa garave të planifikuar për dje.

Në gara të tjera, notarja ruse, aktualisht kampione botërore Yulia Efimova u përcoll me fishkëllima dhe zhurma kundërshtie kur konkurroi në garat kualifikuese në 100 metra stil bretkocë, pasi më parë kishte kaluar një pezullim 16 mijor nga garat sepse kishte rezultuar pozitive për substancën e ndaluar farmaceutike meldonium.

Ajo dhe gjashtë notarë të tjerë rusë fillimisht u ndaluan të konkurronin në Olimpike pas njoftimeve të Agjencisë Botërore Anti-Doping se Rusia kishte zbatuar një skemë manipulimesh dhe dopingu tek sportistët e saj olimpikë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar javën e kaluar anuloi vendimin e mëparshëm duke i lejuar të konkurronin Julian dhe një numër lojtarësh të tjerë të njohur rusë.

Po dje në Rio filluan edhe garat e gjimnastikës për femra.

Ish-kampionia olimpike, amerikania Gabby Douglas mori rezultate të larta në garat kualifikuese, por nuk do të konkurrojë në garat individuale për të mbrojtur titullin e kampiones olimpike në gjimnastikë që ajo e siguroi në 2012 në Lojërat e Londrës. Megjithë rezultatet e larta, ajo doli në vend të tretë. Amerikania tjetër Simone Biles udhëheq me 62.366 pikë, dy më shumë se Aly Raisman e ekipit amerikan, e cila do të konkurrojë me Biles për titull kampione e gjimnastikës. Vetëm dy gjimnaste lejohen nga çdo vend në finalet e gjimnastikës për titullin individual.

“Kisha shumë dëshirë të konkurroja për të mbrojtur titullin e kampiones, por nuk jam zhgënjyer. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme,” thotë Douglas.

Ekipi amerikan i basketbollit për femra mundi Senegalin 121-56 në raundin fillestar të konkurrimit.

Majlinda Kelmendi nga Kosova mori medaljen e artë në xhudo për femra në kategorinë 52 kg. Fitorja e djeshme e Majlindës i siguroi Kosovës të parën medalje olimpike. Kosova e cila u pranua për konkurrime olimpike në 2014, prezantohet për herë të parë si vend pjesëmarrës në Lojërat Olimpike.

Çiklisti spanjoll Joaquim Rodriguez, i cili doli i pesti në garat e meshkujve, njoftoi se po e mbyll karrierën sportive duke thënë se konkurrimi në Olimpiket e Rios ka qenë përmbushja e ëndrrave të një jete. 37-vjeçari Rodriguez, i cili fitoi tre etapa të Turit të Francës në korrik, konfirmoi dje në Twitter se gara e së shtunës ishte konkurrimi i tij i fundit.

XS
SM
MD
LG