Lidhje

Olimpiket e 2012-s, zyrtarët vizitojnë objektet e lojrave

  • Henry Ridgewell

The cycling track (velodrome) for the upcoming 2012 Olympic Games in London

The cycling track (velodrome) for the upcoming 2012 Olympic Games in London

Yje të sportit dhe politikanë kanë mbërritur në Londër për të parë ndërtimin e Parkut Olimpik, ku pas dy vjetësh do të mblidhen atletë nga e gjithë bota për të konkurruar në Lojërat Olimpike të 2012-ës. Autoritetet në Britani thonë se është ecur më mirë nga sa ishte planifikuar me përgatitjet dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka shfaqur kënaqësinë me ecurinë e përgatitjeve. Por siç njofton korresposndenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, ekzistojnë shqetësime lidhur me koston e lojërave pas recesionit global dhe shkurtimit të madh të shpenzimeve nga qeveria britanike.

Organizatorët thonë se ky është objekti më i madh që po ndërtohet në Evropë. Në lagjen periferike Stratford të Londrës, në hapësirat mes grataçielave, sheh se si mijëra punonjës ndërtimi po e transformojnë një zonë të rrënuar dikur industriale, në Parkun Olimpik për vitin 2012. Pas dy vjetësh flaka olimpike do të ndizet në këtë stadium, ndërsa atletët nga rreth 205 vende të botës do të zhvillojnë paradën për hapjen e ceremonisë së Olimpiadës së 30-të.

Për të shënuar fillimin e përgatitjeve, një nga atletët më të famshëm të botës vizitoi stadiumin, duke i entuziazmuar spektatorët e shumtë. Sprinteri Michael Jackson, fitues i 4 medaljeve të arta, thotë se për konkurruesit, dy vjetët para olimpiadës do të shërbejnë për t’u fokusuar më mire te kjo ngjarje sportive.

Është e lehtë të jepesh i tëri pas stërvitjes, siç po bëjnë atletët që do të marrin pjesë në gara dhe të shohësh konkretisht vendin ku do të konkurosh pas dy vjetësh, thotë Jackson.

Por ndërtimi i stadiumit nuk ka rëndësi vetëm për atletët. E gjithë Londra po fillon përgatitjet për 2012-ën. Objektet e ndryshme që do të ndërtohen me këtë rast kanë filluar të marrin formë, pishina olimpike me formën dramatike të valës, ku notarë si Michael Phelps do të konkurojnë për medaljen e artë, stadiumi i basketbollit me formën futuriste të një guacke.

Dhe velodromi po ashtu dramatik, ku do të konkurojë çilklisti Chris Hoy, një nga shpresat e Britanisë për të fituar medalje.

Imagjinon sikur je duke zhvilluar garë, i rrethuar nga një numër i madh shikuesish dhe menjëherë të ngjallen emocionet e garës.

Por objektet sportive kanë kushtuar shumë. Buxheti për lojërat është 14,5 miliardë dollarë, rreth tre herë më i madh se vlerësimi i mëparshëm, kur Londra fitoi shortin e Lojërave Olimpike. Qeveria britanike thotë tani se Olimpiket nuk kanë imunitet nga shkurtimi i shpenzimeve, por shton se projektet madhore nuk do të ndikohen prej tyre.

Patrik Lane i gazetes “The Economist” thotë se kostoja është tepër e lartë.

Olimpiket po paraqiten si dy ngjarje njëkohësisht, si një festival sportiv dhe si projekt rigjenerues. Në cilëndo mënyrë që ta shohësh, është tepër e kushtueshme. Për shembull, ndoshta nuk do t’ja vlente të ndërtohej një stadium 80 mijë vendesh dhe pastaj ta zvogëlosh atë për t’u përdorur përsëri pas lojërave, në se nisesh thjesht nga ideja për ripërdorimin e tij.

Por organizatorët thonë se lojërat do të ndikojnë pozitivisht. Sir Kith Mills është nënkryetar i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të 2012-ës.

Në një kohë kur gjendja ekonomike e botës nuk është aspak e mirë, mendoj se një nga faktorët që do ta stimulojë vendin dhe ndoshta do të na nxjerrë nga recesioni, do të jenë Lojërat e 2012-ës.

Londinezët nuk do të lejojnë që shqetësimet financiare të errësojnë entuziazmin gjatë përgatitjeve për Olimpiket. Anketat tregojnë se tre të katërtat e banorëve të qytetit tani i mbështesin Lojërat, një rritje kjo nga koha kur Londra fitoi shortin.

Kostoja përfundimtare e lojërave mund të jetë tepër e madhe, por organizatorët thonë se Olimpiket e 2012-ës do t’i japin energji të reja Londrës. Ata thonë se qyteti duhet të ndjehet krenar që atje do të zhvillohet shfaqja më e madhe sportive e botës.

XS
SM
MD
LG