Lidhje

Sot vota për kryetarin e ri të PD


Partia demokratike
Partia demokratike
Në Shqipëri sot anëtarët e partisë demokratike do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë së tyre, mes kryebashkiakut aktual të TIranës Lulëzim Basha dhe ministrit të Transporteve Sokol Olldashi. Të dy organizuan dje takimet e fundit duke premtuar një opozitë të fortë ndaj së majtës që do të marrë pushtetin në shtator. Votimet hapen sot në orën 8 të mengjesit deri në orën 19 të mbrëmjes

Pas një fushate 19 ditore në të gjithë Shqipërinë, dy kandidatët për të qenë pasuesit e zotit Sali Berisha, i cili dha dorëheqjen si rezultat i humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, do të presin sot votën e afër 100 mijë anëtarëve të partisë. Dy eksponentët demokratë, të rinj në moshë dhe me histori të ndryshme në partinë demokratike, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, mbyllën dje turin e takimeve.

Zoti Olldashi përmes një deklarate në mbrëmje nga selia e partisë, ndërsa zoti Basha me anë të një takimi në pallatin e Kongreseve. Për të shpjeguar këtë zgjedhje të ndryshme në formë, të mbylljes së fushatës, në mbrëmje vonë, përmes faqes së tij në facebook, zoti Olldashi do të deklaronte se ai kishte anulluar një takim të planifikuar në pallatin e sporteve në Tiranë. “Mu duk jo e bukur për PD-në që paralelisht të zhvilloheshin dy takime në të njejtën kohë. Do dukej si një ndarje demokratësh dhe ne nuk kemi nevojë për asgjë të tillë”, shprehej zoti Olldashi.

Fushata e të dy kandidatëve ka patur mesazhe thuajse të njejta, por që dallonin vetëm në nuanca. Që të dy kanë vecuar faktin se rolit të anëtarit të partisë do të duhet t’i jepet një peshë më e madhe dhe ai të përfshihet në vendimmarrje. Të dy kanë sulmuar të majtën që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit sipas tyre përmes mashtrimeve, blerjes dhe vjedhjes së votave.

Zoti Olldashi, ashtu si dhe gjatë fushatës i ka mëshuar faktit se demokratët nuk duhet të shohin me aleanca përtej së djathtës dhe se demokratët duhet t’i përmbahen në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë, “duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare me partinë e vjetër të punës të rithemeluar në 1 prill në njërën anë dhe Partinë Demokratike në anën tjetër”, u shpreh ai, me një kritikë të qartë ndaj koalicionit që demokratët patën katër vjet me Lëvizjen socialiste për integrim. Një sulm që indirekt ai e bëri gjatë gjithë fushatës ndaj rivalit të tij në garë Lulzim Basha, për shkak të afërsisë që ai ka patur me kreun e LSI-së Ilir Meta.

Vetëm mbrëmë, për herë të parë zoti Basha njehsoi si kundërshtarë të njejtë për demokratët, si kryetarin socialist Rama ashtu edhe atë të LSI-së Meta. “Jam gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullimit”, tha mbrëmë zoti Basha, i cili gjatë fushatës ka përdorur si një argument të fortë në favor të tij, faktin se në vitin 2011, ai fitoi përballë zotit Rama në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Nga ana tjetër, zoti Olldashi ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, dhe e theksoi edhe mbrëmë në deklaratën e tij të fundit para garës, se ka në favor faktin që ndodhet në parlament dhe se ka 24 orë kohë t’i kushtohet vetëm partisë demokratike. Një krahasim i qartë me rivalin e tij i cili nuk do të jetë në parlamentin e ardhshëm e do të duhet të drejtojë ndërkohë edhe bashkinë e Tiranës.

Anëtarët e partisë demokratike do të votojnë në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet.
XS
SM
MD
LG