Lidhje

Olli Rehn, 10 ditë afat për zgjidhjen e krizës

  • Zeri Amerikes

Olli Rehn, 10 ditë afat për zgjidhjen e krizës

Olli Rehn, 10 ditë afat për zgjidhjen e krizës

Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian për Çështje Ekonomike dhe Financiare, Olli Rehn tha se Bashkimi Evropian po hyn në një fazë kyçe në përpjekjet për të stabilizuar Euron e përdorur

“Tani po hyjmë në një fazë kritike kur na mbeten 10 ditë për të kompletuar përgjigjen e Bashkimit Evropian ndaj krizës”, tha zoti Rehn.

Ai shtoi se duhej punuar në dy drejtime: garantimi i mekanizmave të mjaftueshëm mbrojtës për eurozonën, që të mos ketë trazira në tregje dhe përforcimi i qeverisjes ekonomike.

Zoti Ren foli para takimit të ministrave të financave të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në një takim dje në mbrëmje, ministrat e financave të 17 vendeve që përdorin Euron akorduan 8 miliardë Euro për Greqinë për të shmangur krizën nga mungesa e fondeve dhe premtuan që të konsolidojnë një fond për të shpëtuar vendet e eurozonës.

Pasiguria e përgjithshme ka bërë që qytetarët në vendet evropiane të shqetësohen për një sezon të zymtë festash. Në Romë të Italisë, Pamelës 27 vjeçare i skadon kontrata e përkohëshme e punës ditën e fundit të dhjetorit.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja. Ne të rinjtë jemi në një pozitë shumë, shumë të vështirë”.

Xhejms Ualston, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Amerikan tha se shumë italianë do të shkurtojnë shpenzimet gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

“Jam i lumtur që nuk jam pronar dyqani gjatë kësaj periudhe, sepse italianët kanë më pak para, sepse ose janë të papunë ose u janë shkurtuar rrogat dhe shumë prej tyre janë shumë të shqetësuar për çka mund të sjellë viti i ardhshëm, sepse të gjithë e dimë që vitin e ardhshëm do të ketë më pak fonde”.

Krerët e qeverive të 27 vendeve të Bashkimit Evropian takohen javën e ardhshme për të diskutuar mbi zgjidhjet për paqëndrueshmërinë e Euros, që kërcënon të dëmtojë ekonominë globale.

Vlera e aksioneve ra sot ndërsa zoti Rehn i Komisionit Evropian e pranoi se e ardhmja e Euros tani varet nga takimi i udhëheqësve më 9 dhjetor.

XS
SM
MD
LG