Lidhje

Lojrat Olimpike 2004 fajësohen për krizën e Greqisë


Ndërsa Londra përgatitet për Lojrat Olimpike, përvoja e Athinës para 8 vjetësh mund të ofrojë disa mësime të zymta

Ndërsa Londra përgatitet për organizimin e Lojrave Olimpike, përvoja e Athinës para 8 vjetësh mund të ofrojë disa mësime të zymta. Shumë prej qendrave të saj olimpike shumë të mëdha janë fare bosh. Shumë grekë, madje edhe Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, thonë se Lojrat Olimpike 2004 kontribuan në krizën e borxheve të Greqisë.

Ishte dikur një fushë ëndërrash, ku atletët më të njohur të botës konkuruan në frymën e Olimpiadës. Pas 8 vjetësh, parku olimpik i Athinës është i braktisur, tepër i madh dhe i mbyllur për publikun. Arena e rrethuar është shndëruar tani në një depo të ndryshkur.

Ndërtimi i korsive të garave me kanotazh kushtoi miliona dollarë, në të cilat uji pompohej nga një liqen artificial, i cili tani është tharë. Tubacionet e ujitjes shtrihen të prishura përreth parkut.

Manolis Trickas është anëtar i këshillit të lagjes Helenikon të Athinës afër parkut. Ai shpreh keqardhje për ato që i quan humbje të shkaktuara nga Olimpiada 2004.

“Lojrat kishin thjesht të bënin me kapitalizimin e fenomenit olimpik si dhe me krijimin e blloqeve të reklamave për të shitur prodhime të ndryshme. Fatkeqësisht, Lojrat Olimpike ishin katastrofë për Greqinë”.

Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge, i tha një gazete greke vitin e kaluar se Olimpiada e Athinës i acaroi edhe më tej problemet e borxhit të Greqisë. Qeveria llogariti se kostoja e lojrave kapi shifrën e 11 miliardë dollarëve.

Por në këtë shifër nuk u përfshinë projekte të tjera, që u miratuan ose u përshpejtuan për t’u përfunduar në kohë për lojrat e vitit 2004, përfshirë një metro dhe një sistem të ri tramvaji, një aeroport dhe një autostradë të re.

Afër parkut olimpik ish pjesëtarë të ekipit grek të softbollit të vitit 2004 stërviten për ndeshjen e ardhshme. Greko-amerikania Louisa Sharp, e cila mbante rezultatet e Lojrave Olimpike, thotë se qendrat sportive të Olimpiadës duhet të ruhen.

“Ato janë shumë, shumë të bukura dhe të shtrenjta. Më vjen keq që asnjeri nuk përpiqet t’i shfrytëzojë, madje edhe të bëjë fitime”.

Qeveria dëshiron t’ia shesë këtë tokë kompanive private. Disa firma kanë shprehur interesim, mes tyre një nga Katari, që synon të ndërtojë një kasino të madhe me një hotel të madh dhe me një aeroport për avionë privatë.

Anëtari i Këshillit të lagjes Helenikon, Manolis Trickas ka ide të tjera. Ai dhe një ekip banorësh lokalë kanë filluar mbjelljen e pemëve të ullirit. Ata duan që ky park t’i kthehet natyrës dhe banorëve të zonës.

“Gjatë kësaj periudhe të krizës financiare, kultivimi është zgjidhja, edhe në sasi të vogla për të shmangur urinë. Ne mendojmë se grumbullimi i fondeve nuk do të na ndihmonte të dilnim nga kjo lloj krize, por një rrjet solidariteti do të na ndihmojë”.

Londra po përgatitet për Olimpiadën 2012 me një kosto prej rreth 14 miliardë dollarësh. Banorët e lagjes Helenikon thonë se përvoja e Athinës duhet të shërbejë si një paralajmërim për një trashëgimi olimpike të dështuar.

XS
SM
MD
LG