Lidhje

Sprinterja amerikane shpresa për fitore në Londër


Garat e atletikës janë ndër momentet kulmore të Lojërave Olimpike dhe ekipi amerikan ka shkuar në Londër me shpresa të mëdha. Sprintjerja Sanya Richards-Ross shpreson të tregojë këtë radhë se amerikanët e dominojnë pistën e vrapimit përballë rivalëve të tyre xhamajkianë.

Ekipi amerikan i atletikës fitoi 23 medalje në Lojërat e Pekinit katër vjet më parë. Këtë vit ky ekip shpreson të marrë 30 medalje, megjithëse ka përballë konkurrencë të fortë.

Sanya Richards-Ross shpreson të fitojë në garat e 200 dhe 400 metrave. Ajo ishte pretendentja kryesore për medaljen e artë në garën e 400 metrave në Olimpiket e Pekinit, por u kthye me medaljen e bronxit.Tani ajo thotë se është e përgatitur të fitojë:

“Të them që jam e entuziazmuar do të ishte pak. Këtë kam pritur prej katër vjetësh. Mendoj se jam në formë të përsosur”.

Atletja Richards-Ross ka lindur në Xhamajkë dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara kur ishte 12 vjeçe. Ajo flet për rivalitetin mes atletëve amerikanë dhe atyre xhamajkianë:

“Kemi një rivalitet të madh, të vërtetë. Xhamajkianët na kanë nxitur çdo vit të përpiqemi për më mirë. Këtë vit jemi gati të konkurojmë në pistë”.

Atletja stërvitet me trajnerin Clyde Hart, i cili thotë se xhamajkianët nuk janë të vetmit rivalë seriozë:

“Nuk përpiqemi të përqendrohemi vetëm tek xhamajkianët. Duhet ta pranojmë se ata kanë atletë shumë të mirë, por plot vende të tjera kanë atletë të mirë. Prandaj nuk po punojmë për të mundur një vend të caktuar, megjithëse Xhamajka është dominuese në garat e sprintit aktualisht”.

Por trajneri thotë se atletja Richards-Ross është në formën më të mirë fizike dhe ka shpresa të mëdha për konkurrimin e saj në Londër.
XS
SM
MD
LG