Lidhje

Olimpiket dëmtojnë biznesin në Londër


Lojërat Olimpike pritej të sillnin turma të mëdha në Londër, duke shkaktuar probleme trafiku në rrugët automobilistike dhe sistemin e metrosë, por duke sjellë edhe një bum për bizneset e qytetit.

Por turmat nuk u bënë realitet dhe shumë biznese që ishin përgatitur për dyndje kërkesash kanë vërejtur këto javë më pak klientelë se zakonisht:

Argëtuesit e rrugës në Covent Garden të Londrës vazhdojnë të tërheqin kalimtarë. Por për stinën e verës, në kulmin e sezonit turistik, këto turma konsiderohen të vogla.

Një treg aty pranë është thuajse bosh krahasuar me dyndjen që e bën thuajse të pamundur të futesh në treg.

Shitësit në treg thonë se paralajmërimet se do të ketë trafik dhe turma si duket kanë dhënë efekt më të madh se duhet, pasi i kanë bindur shumë vizitorë që s’janë të interesuar për Olimpiket, të mos vijnë në këtë zonë, ndërsa kanë bërë që shumë londinezë të shkojnë me pushime jashtë qytetit.

Këto probleme nuk janë të izoluara vetëm në Covent Garden. Të gjitha bizneset që varen tek turizmi janë goditur. Në zonën West End të Londrës, hotelet, restorantet dhe dyqanet kanë vërejtur rënie në vëllimin e biznesit krahasuar me nivelin normal, por sidomos krahasuar me parashikimet për sezonin e Olimpikeve. Kreu i shoqatës së shoferëve të taksive e cilëson Londrën një ‘qytet fantazëm’.

Menaxherët e teatrove nuk duan të flasin me gazetarët mbi këtë gjendje. Pronarët thonë se u ka rënë biznesi 30 për qind dhe një mbrëmje para shfaqjes vetëm pak veta ishin mbledhur për të blerë bileta me gjysmë çmimi.

Por në Covent Garden, Diego Spano, i cili argëton turmën duke imituar aktorin Charlie Chaplin, është plotësisht në harmoni me të papriturat e jetës. Ai thotë:

“Jap shfaqjen që kam përgatitur, i bëj njerëzit të qeshin. Nganjëherë ka ditë të dobëta, por ka edhe ditë të mira. Këtë javë nuk ishte mirë, por nuk dua t’ia di të them të drejtën”.

Zyrtarët shpresojnë se reklama që po siguron Londra përmes Olimpikeve do ta ndihmojnë ekonominë e qytetit në periudhën afat-gjatë. Por për momentin, bizneset duhet të kënaqen me mbështetjen e këtyre turmave të vogla, por mirënjohëse.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG