Lidhje

Ramazani në Londrën olimpike


Disa nga restorantet më të mira të Londrës tani shërbejnë bankete të veçanta në perëndim të diellit

Ditët kanë përmasa gjigante për myslimanët që mbajnë Ramazan në Londër. Ato janë tetëmbëdhjetë orë të gjata, duke e bërë iftarin vaktin më të çmuar dhe më të rëndësishëm. Disa nga restorantet më të mira të Londrës tani shërbejnë bankete të veçanta në perëndim të diellit.

Është koha më e ngarkuar për çdo kuzhinë dhe këtu po punohet për të përgatitur një banket që synon të tërheqë njerëz që agjërojnë dhe që në muzg duhet të jetë gati.

Çdo gjë që shërbehet këtu është e sapogatuar.


Pasi rrihet pa ngrënë për disa orë gjatë Ramazanit, vakt i parë është i veçantë, ai quhet iftar.

Supa të shumta përbëjnë bazën e këtyre vakteve. Ato janë të shijshme, por të lehta, të bëra me mish pule, apo thjerrëza dhe kërkojnë disa orë për t'u përgatitur.

Kjo është kuzhina e restorantit luksoz Fakhreldine, jo shumë larg nga Buckingham Palace. Emri i tij është marrë nga një princ i shekullit të 17-të i cili konsiderohet të ketë qenë një patriot libanez i lavdishëm për mikpritjen e tij.


Personeli i restorantit është mjaft i përkushtuar ndaj ushqimit dhe mikpritjes. Shumë prej tyre janë myslimanë dhe ata përgatisin drekë për njerëzit që agjërojnë, si dhe ushqimin për iftarin, në perëndim të diellit.


Kryekuzhinieri, Youssef Harb është i bindur se gatimi përmirësohet gjatë Ramazanit për shkak se të gjitha shqisat janë më të ndjeshme prej etjes dhe urisë.

"Koha më e mirë për mua për të gatuar është kur jam duke agjëruar. Uria dhe dëshira për të ngrënë të bën që të gatuash me zemër. Është një ndjenjë krejtësisht ndryshe. Më pëlqen kur bëj të njëjtën gjë në shtëpi, pra kur nuk jam duke punuar dhe jam duke agjëruar më pëlqen të gatuaj në shtëpi, sidomos gjatë tre orëve të fundit."


Pjatat meze të vogla janë jashtëzakonisht popullore gjatë gjithë vitit, së bashku me mishin e qengjit, atë të pulës.


Në këtë mesditë dielli po shkëlqen, diçka e pazakontë kjo për Londrën, dhe makinat e zyrtarëve janë duke transportuar autoritet në Olimpike.


Përballë, në park, njerëzit janë duke pushuar në karrige të hapura dhe duke shijuar ushqimin e piknikut.
Por për shumicën e personelit të restorantit Fakhreldine gotat dhe pjatat mbeten bosh. Uji u lejohet vetëm konsumatorëve dhe trëndafilave mbi tavolina.


Menaxheri i restorantit Pierre Hobeika është një libanez i krishterë i cili zakonisht agjëron së bashku me stafin e tij, por i pëlqen edhe të pijë ndonjë pije energjike si ajo e quajtur xhelab, që është e ëmbël dhe freskuese.


Ai thotë se klientela e restorantit pret maksimumin dhe se ai synon që të gjithë ata myslimanë që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit ta shohin vizitën e tyre tek Fakhreldine si një udhëtim në një oaz ku çdo gjë shërbehet në kohë.


"Njerëzit arabë e dinë mirë se çfarë janë duke ngrënë këtu dhe unë jam krenar që vijnë në restorantin tonë, sepse ata pëlqejnë ushqimin dhe kthehen sërish. Ata e njohin cilësinë e ushqimit tonë, ata njohin dhe vetë ushqimin më mirë se çdo i huaj, çdo britanik tjetër, ose francez, apo klientë të tjerë të huaj, kështu që për mua është shumë e rëndësishme."


Agjërimi musliman shpesh prishet me pije si këto, sepse ato janë mënyra më e shpejtë dhe më e freskët për t’i dhënë energji trupit.


Por këto pije nuk janë të mira për personat që përpiqen të kontrollojnë dietat e tyre, për shkak se ato përmbajnë shumë kalori, si dhe vitamina.


Kryekuzhinieri Harb është nga njerëzit e shumtë të cilët preferojnë të pijnë lëngje para lindjes së diellit, për të rritur energjinë e trupit për ditën e gjatë dhe shpesh të vështirë që është duke nisur.


"Njerëzit i pijnë ato në përfundim të natës, sepse u japin shumë energji për të qenë në gjendje të përballojnë orët e gjata të ditës tjetër. Gjatë agjërimit, trupi humbet sheqer, humbet ujë dhe për t’i rifituar këto mund të pihet xhelab. Ajo është një pije shumë, shumë e ëmbël dhe mendoj se për këtë arsye një gotë është e mjaftueshme."

Para se të errësohet, besimtarët mbërrijnë në xhaminë qendrore të Londrës, në Regents Park. Kjo është pika kulmore e ditës së tyre dhe fundi i lutjeve dhe sinjali i dhënë nga dalja e hënës u tregon të gjithë myslimanëve se është koha për të thyer agjërimin. Për familjet myslimane në Londër dita është shumë e gjatë, dhe ato qëndrojnë tetëmbëdhjetë orë pa ushqim, apo ujë.

XS
SM
MD
LG