Lidhje

Ish-gruaja: Mateen, i paqendrueshëm mendërisht


Ish-gruaja e personit që vrau dhjetra vetë në klubin e natës në Orlando të Floridës, thotë se ai ishte i paqendrueshëm emocionalisht dhe mendërisht, me një temperament të dhunshëm e megjithatë donte të bëhej oficer policie.

Sitora Yusufiy, ish-bashkëshortja e autorit të sulmit në Orlando, Omar Mateen thotë se në fillim, ai sillej normalisht, kujdesej për familjen, bënte shaka.

“Por pak muaj pasi u martuam, vura re që ishte i paqendrueshëm, që ishte bipolar dhe nevrikosej papritur. Atëherë fillova të shqetësohesha për sigurinë time dhe disa muaj më pas ai filloi të abuzonte shumë shpesh fizikisht me mua”, thotë Sitira Yusufiy.

Ajo u tha gjithashtu gazetarëve në një konferencë për shtyp se anëtarë të familjes e “shpëtuan” atë nga ish-burri, pas katër muajsh të një martese të trazuar që përfundoi me divorc.

“Atë natë që erdhën, iu desh të më nxirrnin nga fermat dhe të gjenin një fluturim urgjent për t’u larguar. Nuk mora asgjë me vete, bëra raportim në polici. U desh një kohë e gjatë që të finalizohej divorci sepse unë isha në New Jersey dhe ai ishte në Florida”, thotë ajo.

Zonja Yusufiy, thotë se e bllokoi nga çdo kontakt, dhe nuk kishte pasur asnjë komunikim me të për 7-8 vjet, deri kur mori vesh për lajmin e Orlandos.

“Ai ishte shumë nevrik dhe gjithmonë zihej dhe debatonte me prindërit e tij, por ma merr mendja meqenëse unë isha i vetmi person në jetën e tij, kryesisht ai ishte i dhunshëm ndaj meje”.

Ish-gruaja e Omar Mateenit, thotë se ai donte të bëhej oficer policie dhe stërvitej me shokë që ishin oficerë policie dhe kishte liçencë për armëmbajtje në Florida.

Ajo thotë se ishte thellësisht e tronditur, kur mori vesh lajmin.

“Fillova të dridhesha dhe të qaja sepse më dhimbte shpirti për ata që humbën të dashurit e tyre, për familjet që po vuajnë, ata që janë të plagosur, që po mjekohen”.

Një zyrtar i lartë i FBI-së tha se Mateen, një banor i Floridës dhe bir i imigrantëve afganë, i lindur në Shtetet e Bashkuara, mund të kishte pasur prirje për të mbështetur Shtetin Islamik.

XS
SM
MD
LG